Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve është mbledhur sot dhe pritet të shqyrtojë kërkesat ankimore të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun e Durrësit.

Aleanca PD-AN ka kërkuar rivotim në të gjithë qarkun e Durrësit, duke shpallur të pavlefshme zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa LSI nga ana tjetër ka kërkuar rinumërim të të gjitha votave.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së prezënt në mbledhje ngriti shqetësimin se gjatë fushatës elektorale blerja e votës nuk u bë vetëm përmes parave apo shantazheve, por edhe përmes bonuseve të tjera që ishin në dispozicion vetëm të organeve të administratës publike.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së: Blerja e votës nuk u bë vetëm përmes parave, kërcënimeve, shantazheve dhe presioneve, por edhe përmes dhënies së bonuesve dhe përfitimeve të tjera që ishin në dispozicion vetëm të organeve të administratës publike. Sipas të dhënave të publikuara në media nga organizata të shoqërisë civile, Bashkitë e prekura nga tërmeti dhe veçanërisht ajo e Durrësit shpërndau në periudhën janar-prill 2021, rreth 125 milion euro në total në të gjithë Shqipërinë dhe vetëm Bashkia Durrës shpërndau 6 milion euro në procesin e rindërtimit ose 89 herë në shumë sesa kishte shpërndarë në 15 muajt e fundit. 

Kujtojmë se KAS më herët ka shqyrtuar ankimimet për qarkun e Gjirokastrës, Beratit dhe Vlorës.

Top Channel