Kosovari i shpallur në kërkim ndërkombëtar arrestohet në Morinë, pritet të ekstradohet në Çeki

24/05/2021 13:37
Foto Ilustruese

Një kosovar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”, është arrestuar.

Policia bën me dije se Tush Pali, 66 vjeç, banues në Kosovë është kapur në doganën e Morinës, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën.

“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Praga, pasi Gjykata e Plzen Çeki e ka dënuar me 1 vit, 5 muaj e 21 ditë burg, për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve’, parashikuar nga legjislacioni penal i Çekisë”, njofton Policia.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin në shtetin e Çekisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.

Top Channel