Organizohet Konferenca e Reduktimit të Riskut nga Shoqata Kombëtare e Shëndetit Publik të Shqipërisë (NAPH), me pjesëmarrjen e studiuesve, klinicistëve dhe mjekëve nga fusha të ndryshme. Në fokus të kësaj konference, reduktimi i dëmit i trajtuar në këndvështrimin e ekspertëve të fushave të ndryshme të shëndetësisë.
“Njerëzit e fillojnë duhanin për nikotinën, por vdesin prej katranit”, tha eksperti i shëndetit publik Roland Shuperka, duke iu referuar shprehjes së famshme të “babait të reduktimit të dëmit”, Michael Russell, e cila në fillimvitet ‘2000 do të gjente jehonë në të gjithë botën, “Produktet me djegie çojnë në atë që, japin sëmundshmëri dhe vdekshmëri të parakohshme.”
Dr. Roland Shuperka u ndal tek risia që kanë sjellë në konceptin e reduktimit të rrezikut nga duhani alternativat pa tym dhe veçanërisht ato me ngrohje, që në Shqipëri janë prezantuar vetëm dy vite më parë. Gjetja e këtyre alternativave, të njohura si pajisje me ngrohje, qëndron tek shmangia e procesit të djegies së duhanit, disa përbërës të të cilit sikundër theksoi edhe Dr. Shuperka gjatë fjalës së tij, nga autoritetet e shëndetit publik janë klasifikuar si shkaqe të mundshme të sëmundjeve të lidhura me pirjen e duhanit.
“Po t’u referohemi produkteve me ngrohje, rezultati [për ta lënë duhanin] ka qenë 59,7% deri në 74% në vitet 2019-2020. ”, u shpreh eksperti, “Dhe parlamenti, dhe qeveria, duhet të dëgjojnë specialistët e shëndetit, me qëllim që të prodhojnë politika lehtësuese për produktet me ngrohje. Në këto kushte, në rast se nuk ndërmarrim politika lehtësuese, do të na duhen 10 vjet që të reduktojmë duhanin.”
“[…] për këto produkte duhani me ngrohje, që ndihmojnë duhanpirësin të lërë duhanin, dhe njëkohësisht nuk krijojnë shqetësim për ambientin rrethues, sepse nuk kanë djegie dhe tym dhe katran, atëherë duhen krijuar politika mbështetëse.”, u shpreh Shuperka, “Ka ardhur koha që të zerohet përdorimi i duhanit me djegie.”
Eleminimi i cigareve tradicionale (me djegie) ishin në fokus edhe të ekspertëve të tjerë si një hap i rëndësishëm për reduktimin e dëmit.
“Që ne të parandalojmë diabetin duhet të marrim sa më shumë karbohidrate natyrale, të ushtrohemi çdo ditë fizikisht”, u shpreh endokrinologu, Dr. Dashamir Gjergji, “Ndërprerja e cigares dhe duhanpirjes është një element bazë në këtë aspekt.”
Madje, edhe për përmirësimin e cilësisë së lëkurës, Dr. Erjona Shehu sugjeron të hiqet dorë nga cigarja krejtësisht ose, për rastet kur kjo është e pamundur, orientimi drejt alternativave pa tym.
“Alternativa më të sigurta të miratuara edhe nga legjislacionet përkatëse, mund të përmirësojnë shëndetin publik dhe, në interesin e kësaj që po flasim, edhe cilësinë dhe shëndetin e lëkurës sonë.”
Në aspektin gastro-hepatologjik, sugjerimet e Dr. Jovan Bashës qenë të qarta: trajtimi i rregullt i pacientëve me hepatopati kronike B dhe C, mund të parandalojë diagnostikimin me HCC (Hepatocellular Carcinoma ose siç njihet, cerozë) ose së paku, të sjellë diagnostikimin e hershëm të saj.
“Dëmtimet nga virusi C dhe virusi B, janë ato që e çojnë pacientin drejt HCC-së”, u shpreh Dr. Basha, “Njohja e mirë dhe në kohë e dëmtimeve nga virusi B dhe virusi C është një element shumë i rëndësishëm që të parandalohet shfaqja e saj.”
Reduktimi i riskut ka qenë një faktor kyç kur vjen fjala për parandalimin e virusit HIV.
“Sot, ndërhyrjet e zvogëlimit të dëmit, siç janë programet e shkëmbimit të ageve apo shiringave, apo trajtimi zëvendësues i opiateve, apo siç quhet ndryshe terapia mbajtëse me metadon, konsiderohen standarte të arta ndërkombëtare për të parandaluar transmetimin e infeksionit HIV apo edhe të hepatiteve tek ata që përdorin drogëra intravenoze.”, u shpreh infeksionisti i njohur, Dr. Arjan Harxhi.
Në përgjithësi, janë ndryshimet në stilin e jetesës ato të cilat kontribuojnë në reduktimin e riskut apo në reduktimin e dëmit, siç theksoi Dr. Adrian Hoxha, drejtues i Shoqatës Kombëtare të Shëndetit Publik.
“Shpeshherë, mund të hasim pacientë me sëmundje pulmonare kronike, të cilët vazhdojnë të pinë duhan”, tha Dr. Hoxha, “Ose pacientë me diabet, të cilët vazhdojnë të konsumojnë çokollata. […] Në të gjitha këto raste, nevoja për të ndryshuar stilin e jetës, mund të jetë e qartë si një detyrë e mjekut dhe pacientit, edhe pse shpeshherë, ndryshimi i sjelljeve të tyre mund ta ketë të pamundur për të ndryshuar pasojat e sjelljes së tij.”
Top Channel