Gjirokastra e vjetër nën tokë/ Gërmimet për parkimin nxjerrin në dritë ndërtimet e para mesjetës

24/05/2021 15:14

Në sheshi “Çerçiz Topulli”, në hyrjen e zonës historike në Gjirokastër, prej disa muajsh është duke u ndërhyrë për ndërtimin e parkimit të ri nëntokësor dhe rikonceptimin e këtij sheshi.

Gjatë gërmimeve janë zbuluar së fundi struktura të rëndësishme arkeologjike ku të fundit janë mure mesjetarë dhe para mesjetarë, gjithashtu gjurmë të shumta të qeramikës si edhe material skeletor çka sipas arkeologëve përbën një gjetje për tu vlerësuar e që ka pezulluar edhe punën në pjesën e sipërme të sheshit të Çerçizit përtej mjeteve që shikoni se janë duke punuar aktualisht.

“Diskutohet që janë mure fortifikuese të një banese të një rëndësie të veçantë të fund shekullit të XVII ose të fillimit të shekullit të XVIII duke u bazuar gjithnjë në një aspekt vizual të elementëve që ato mbartin në aspektin arkitekturor dhe të formës së ndërtimit.

Cili do të ishte hapi i radhës për ta vlerësuar këtë situatë?

Normalisht e gjithë dosja ka shkuar në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë i cili më pas do të përcaktojë qoftë rëndësinë e zbulimit dhe qoftë masat që do të merren më vonë në lidhje me të.

Opinioni publik është përfshirë nga debate të shumta mbi atë se çfarë po ndodh me gërmimet në këtë shesh. Duket se balanca mes rëndësisë ekonomike të kësaj vepre dhe rëndësisë së gjetjeve historike dhe të trashëgimisë kulturore në këtë shesh është shumë delikate. Numri i skeptikëve është i madh mbi atë sesi do të trajtohen këto gjetje pasi edhe më parë mbetjet e një pusi mesjetar janë zhdukur prej firmës që po merret me ndërtimin dhe rikonceptimin e sheshit “Çerçiz Topulli”.

Top Channel