Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca gjatë një takimi në Korçë nuk preferoi të komentonte vendimin e SHBA-së për ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Jo nuk kam koment për të bërë, ky është një vendim që është marrë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara Amerikës, ndaj unë nuk kam koment për këtë vendim”, u shpreh Soreca.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se Shqipëria ka ecur para në luftën kundër krimit të organizuar por ka edhe shumë punë për të bërë.
Por, ambasadori nënvizoi se Reforma në Drejtësi po krijon shumë “Falcone” në Shqipëri.
“Për mua kjo ditë është veçantë sepse 29 vite më parë në Itali u vra gjyqtari Falcone. Ai ishte personi që e krijoi këtë koncept të ndjekjes së parave. Ata e vranë Falconen, por nuk mundën të vrisnin idetë dhe parimet e tij. Shqipëria ka ecur para sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Por a mjafton kjo punë është bërë deri më tani? Jo, kjo punë mjafton të çelen negociatat, por duhet ende shumë punë për të bërë. Sot në këtë ditë të veçantë, mund të them se mund t’ia dalim. Reforma në Drejtësi po krijon shumë Falcone në Shqipëri”, u shpreh ai.
Ndërsa sa i përket negociatave të Shqipërisë për në BE, ambasadori theksoi se “Bashkimi Europian nuk ka për të qenë i plotë në rast se në të nuk do të jenë pjesë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.
Top Channel