Këtë të diel kanë mbërritur në vendin tonë 60 mijë doza e tjera të vaksinës Sinovac, pjesë e kontratës së dytë prej 500 mijë dozash, të qeverisë shqiptare me distributorin e autorizuar të Sinovac.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj kanë pritur mbërritjen e vaksinave nga Aeroportin “Nënë Tereza”, ku deklaruan se janë garantuar plotësisht dozat e dyta për qytetarët.

Ditën e hënë priten 14 mijë e 40 doza të tjera të vaksinës Pfizer, për të vazhduar me planin e vaksinimit masiv në vend, teksa muajin tjetër pritet të vijë një tjetër sasi vaksinash nga AstraZeneca.

Manastirliu theksoi se deri ditën e djeshme janë kryer rreth 712 mijë vaksinime teksa shtoi se situata në vend është normalizuar.

“Sapo kanë mbërritur 60 mijë doza të vaksinës Sinovac, të cilat janë pjesë e kontratës së dytë. 60 mijë doza që do të përdoren për të gjithë qytetarët të cilët janë vaksinuar me dozën e parë, dhe duhet të vijojnë vaksinimin me dozën e dytë. Në Shqipëri kanë mbërritur më shumë se 830 mijë doza në total. Deri ditën e djeshme janë vaksinuar rreth 712 mijë qytetarë. Situata në vend është normalizuar, ka një ulje të rasteve aktive, kjo falë vaksinimit masiv që ka dhënë impaktin e vet.E kemi vendosur të arrijmë 1 milion vaksinime brenda muajit qershor. Duke filluar nga dita e nesërme serish vijnë vaksina, janë 14,040 vaksina që vijnë nga kontrata jonë me Pfizer dhe nga kontrata e lidhur me Bashkimin Europian. Brenda muajit maj dhe fillim qershori, presim gjithashtu të vijnë edhe 40 mijë vaksina të AstraZeneca nga instrumenti COVAX dhe do të kemi serish sipas kalendarit të ardhjes së vaksinave, lloje të vaksinave që qeveria shqiptare ka kontaktuar dhe do të vijojmë me intensifikimin e vaksinimit”, tha Manastirliu.

Duke folur për planin e vaksinimit, Ministrja  e Shëndetësisë tha se me ardhjen e vaksinave, do të ulet fasha dhe do të zgjerohen kategoritë, duke filluar nga vaksinimi për punonjësit e transportit publik.

“Dhe duke filluar me ardhjen e vaksinave, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare me distributorin e Sinovac, 500 mijë vaksina, do të vijojmë edhe rritjen e grupeve të riskut, duke përfshire edhe punonjësit e transportit publik, të cilët janë pjesë e planit tonë të vaksinimit, ndërsa do të vijojmë edhe me uljen e fashës”, tha Manastirliu.

Ndërsa Ministri Arben Ahmetaj, u shpreh se ky është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare pas datës 25 Prill dhe ka të bëjë me atë që mendon kjo qeveria për qytetarët e vet, për kujdesin në vazhdim.

Deri tani në Shqipëri kanë mbërritur mbi 833,010 doza vaksine antiCOVID.

Janë kryer 712,446 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre, 240,709 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Top Channel