Gara për kryetarin e ri të Partisë Demokratike u hap zyrtarisht. Lulzim Basha, ndryshe nga zgjedhjet e shkuara do ketë përballë 3 rivalë. Anëtarin e Kryesisë Fatbardh Kadilli, Edith Harxhin pjesë e grupimit për PD si dhe deputetin e Agron Shehaj surprizë e këtyre zgjedhjeve.
Kryesia skualifikoi nga gara 4 kandidatë të panjohur për anëtarësinë bashkë me Ibsen Elezin kandidatë nga radhët e grupit për PD, i cili u penalizua për shkak të qëndrimeve denigruese ndaj partisë.
Lulzim Basha mori besimin e kryesisë drejt rrugëtimit për një mandat të 3 në krye të PD, por për të shmangur konfliktin e interesit ai nuk u bë pjesë e mbledhjes. Gara në selinë blu u bë interesante me kandidimin e deputetit, i cili u bë pjesë e listave të PD me propozim të kryetarit Basha ne 2017 por Agron Shehaj u abstenua nga 6 anëtarët e Kryesisë Jorida Tabaku, Edi Paloka, Eno Bozdo, Kreshnik Çollaku, Endri Hasa dhe Ina Zhupa të cilët nuk ishin dakord me fushatë personale të kandidatit në zgjedhjet parlamentare ku rezultoi i dyti më i votuar në Tiranë pas Bashës.
4 vota abstenuese mori edhe Edith Harxhi, e para femër që synon kreun e PD-së. Votat abstenuese ishin të Edi Palokës, Ivi Kasos, Eno Bozdos dhe Endri Hasës për shkak të mos dhënies së kontributit në fushatën e demokratëve. Fatbardh Kadilli mori mbështetjen e kolegeve për të qenë kandidat zyrtar, por ndryshe ndodhi me 5 propozimet e tij mbi procesin që iu rrëzuan të gjitha.
Përballje publike do të mungojnë mes kandidatëve edhe në këto zgjedhje. Fushata e 4 kandidatëve do zgjatë 3 javë dhe do jetë e ndarë, por zyra e shtypit e selisë blu ngarkohet për pasqyrimin e aktiviteteve në media. Udhëzimi për zgjedhjet brenda PD i jep të drejtën kandidatëve të kenë vëzhguesit e tyre në Komisionin Zgjedhor si dhe përfaqësues në çdo dege.
Lista e plotë anëtarësisë e parashikohet të miratohet 5 ditë para zgjedhjeve të 13 qershorit ndërkohë nga kjo e hënë nis zyrtarisht fushata.
Top Channel