I moshuari u gjend i pajetë anës rrugës, me damarë të prerë e plagë në kokë, banorët: Nuk e njohim!

23/05/2021 11:16

Detaje të reja janë zbuluar rreth ngjarjes të rëndë të ndodhur në Elbasan, ku në orët e para të mëngjesit të sotëm është gjetur i pajetë anës rrugës një person.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se i moshuari, identiteti i të cilit nuk mësohet, është gjetur me damarë të prerë, i zbathur dhe i hedhur përmbys. Mbante të veshur një palë tuta sportive, një bluzë të bardhë dhe një xhup.

Po ashtu, grupi hetimor ka konstatuar edhe një goditje në kokë, që dyshohet se është shkaktuar nga goditja me sende të forta.

Trupi i pajetë i të moshuar ndodhet ende në morgun e spitalit të Elbasanit, ku po bëhet ekspertiza nga ana e mjekësisë ligjore.

Jashtë kamerave, banorët thonë për Top Channel se i moshuari nuk ka qenë banor i zonës dhe nuk e kanë parë atë më herët!

Trupi i pajetë i të moshuarit u gjend nga një patrullë policie mëngjesin e sotëm, rreth orës 04:45, në lagjen “Vullnetari”, Elbasan. Ndërkohë që, dyshimet paraprake janë që trupi i viktimës të jetë hedhur nga persona ende të paidentifikuar, të cilët e kanë sjellë trupin deri aty me makinë, në një hapësirë pranë një pallati.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/ Informacion paraprak

Në lagjen “Vullnetari”, Elbasan, shërbimet e policisë kanë konstatuar në anë të rrugës pa shenja jete një shtetas të seksit mashkull rreth moshës 70-80 vjeç.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personit të pajetë dhe shkakun e humbjes së jetës.

Top Channel