Edhe Agron Shehaj do të garojë për postin e kryetarit të Partisë Demokratike.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka bërë publike kandidaturën e tij.
“Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë. Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri”.
Sipas tij, konkurrimin nuk e sheh si garë për post, por si përpjekje për t’ia rikthyer Partinë Demokrtike, anëtare të saj.
“Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurrimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur”, shkruan Shehaj, një nga kandidatët më të votuar nga lista e PD-së, në zgjedhjet e 25 prillit.
Po ashtu, nuk mungojnë kritikat ndaj Bashë, kur thotë se humbja, nuk shërohet me ankime por me veprime.
“Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.
Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej“, shkruan Shehaj në “Facebook”.
Më herët, Fatbardh Kadilli dhe Ibsen Elezin, Edith Harxhi, kanë shpallur kandidaturën dhe do të jenë përballë kryetarit aktual, Lulzim Bashës, në zgjedhjet e 13 qershorit, në Partinë Demokratike.
Top Channel