Zylfie Haklaj një akuzuese e fortë e Sali Berishës duke e bërë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve të saj, ka reaguar menjëherë pasi ish kryeministri tha se do të padiste në një gjykatë në Paris, sekretarin amerikan të shtetit, zotin Blinken.
Reagimi i plotë nga Suedia i Zylfie Haklajt për Top Channel:
Sali Berisha, Boll hangre me mashtrime.
Sali Berishes ju paska prekur “dinjiteti”!
Nje pyetje do ta kisha?
A ka kush tjetër dinjitet përvec teje dhe familjes tënde në Shqipëri?
A kanë dinjitet 2000 shqiptarë dhe familjet e tyre që u vranë në Jug të Shqipërisë në vitin 1997 nga thirrjet tuaja për lufte civile ?
A ka dinjitet Remzi Hoxha dhe familja e tij? Që as varri nuk i dihet!
A kanë dinjitet katër protestuesit dhe familjet e tyre që u vranë më 21 janar 2011 para Kryeministrisë?
A kanë dinjitet 26 viktimat e Gërdecit dhe familjet e tyre?
A kanë dinjitet të gjitha ato familje në Tropojë dhe në të gjithë Shqipërinë që i nxit për vëllavrasje?
Sali Berisha të ka nxanë besa dhe besimi që të ka bërë popullit shqiptar. Duke mos përmendur përfitimet tuaja materiale, që para jetëve të vëllezërve dhe motrave janë vetëm thërrime, shtëpitë tuaja në Gjirin Lalzit, Farkë e gjetkë, dhe tani sëfundmi me avokat ndërkombëtar! Kë shpërdoruar besimin, jetët dhe djersën e popullit.
Në vitet 1990 ju hoqe shqiptarëve, që ti, do t’ju sillje ndryshimin dhe të besuan, ti i preve në besë dhe besëpremi herët a vonë e paguan.
Jo vetëm që nuk e solle ndryshimin e premtuar por e shkatërrove Shqipërinë dhe shqiptarët e dalë nga një diktaturë e egër dhe gjakatare, ti si një ishkomunist spiun e dërgove në skëterrë Shqipërinë, e bëre atë që asnjë regjim sado gjakatarë i mëparshëm nuk e ka bërë. Nxite gjakmarrjen dhe vëllavrasjen, përcave Shqipërinë dhe shqiptarët, nxite luftë civile Jug – Veri si askush më parë. Furnizove tanket e serbit me naftë në një kohë që bota e civilisuar ju kishte bërë embargo, ti furnizoje me naftë tanket serbe kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve dhe tani thua kam mbrojtur kufinjtë shqiptarë! Kur vriteshin dhe priteshin vëllezërit tanë të Kosovës në tokat shqiptare ti heshtje dhe e bëje të paditurin, ti nuk dije gjë për Remzi Hoxhën, ti nuk e njihje Ilir Konushefcin dhe Ahmet Krasniqin ti nuk e njihje Adem Jasharin dhe Zahir Pajzitin që arrestoheshin në tokën amtare.
Sali Berisha kë shpërdoruar besimin e popullit, të ka nxënë besimi i tyre.
Për ty ky është vetëm fillimi.
Top Channel