Për akuzën e fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë në tre raste, Adriatik Llalla, ish prokuror i përgjithshëm u shpall fajtor dhe dënua me 2 vite burgim.

Duke iu bindur hetimit të SPAK, Gjykata urdhëroi kërkesën për konfiskim të gati 22 mijë metrave katrorë truall dhe një apartamenti në Durrës dhe aprovoi si dënim shtesë edhe mohimin për të marrë funksione publike për pesë vite.
“Në rast se ky vendim lihet në fuqi nga shkalla e dytë ish prokurori duhet ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme”, tha gjykata.

Nën vështrimin e amerikanëve që ishin në sallë, gjyqtarja Daniela Shirka shtoi se edhe shpenzimet proceduriale të hetimit dhe gjykimit duhet të paguhen nga ish prokurori i përgjithshëm. Në përfundim, për disa sekonda Llalla qëndroi në heshtje, siç veproi kur Brenda të njëjtës ditë kërkoi pafajësinë përmes avokatit.

Mbrojtja e Llallës këmbënguli më herët gjykatës se nuk kishte fshehur asgjë përveç shpenzimeve të Gjermanisë që ishin harruar të deklaroheshin nga gabimi njerëzor. Mirëpo, Gjykata gjeti të provuar të kundërtën, edhe për tokat që sipas hetimit të SPAK u rivlerësuan disa fish më tepër nga vlera që ishin blerë edhe për faturën spitalore në SHBA dhe kostot për ndërtimin e një shtese.

Llalla me shumë mundësi hapi rrugën e një breshërie vendimesh që pritet të merren nga Gjykata ndaj njerëzve të tjerë të drejtësisë, ish gjyqtarë të lartë dhe kushtetues të shkarkuar të vettingut, tre prej të cilëve u janë sekuestruar pasuritë, kurse 7 vijojnë nën hetim.

Top Channel