Berisha tha se akuzat e Blinken s’kanë asnjë bazë, ja arsyeja pse vendimi i DASH nuk mund të apelohet!

20/05/2021 19:11

Sekretari Amerikan i Shtetit ishte ai, që ditën e djeshme, përmes një shënimi në Twitter njoftoi shpalljen ‘non grata’ nga SHBA të Sali Berishës dhe familjes së tij.

Sot në konferencën që pati me mediat, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të ngrejë padi për shpifje ndaj sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken.

Berisha pohoi se akuzat për korrupsion dhe shfrytëzim të pushtetit për përfitime personale gjatë kohës kur ka qenë në pushtet, të cituara nga Blinken nuk kanë asnjë bazë. Kështu ai la të nënkuptohet se krahas padisë ndaj Blinken do të apelojë edhe vendimin.

Por a mund të ndodhë kjo?

Mësohet se vendimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken për shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës, bashkëshortes së tij Liri, vajzës Argita dhe djalit Shkëlzen, është i pa-apelueshëm.

Kjo për faktin sepse kemi të bëjmë me një vendim të SHBA-ve dhe jo thjeshtë një deklaratë.

Deklarata e Berishës:

Qëkur e kam filluar jetën politike, por ju garantoj, se po të shikoni që kur kam prekur rrogën e parë në borderotë e shtetit dhe gjeri dje, nuk ka njeri në Shqipëri apo botë që mund të thotë se unë jam apo kam qenë i implikuar në një aferë korruptive.

Unë kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar siç është Franca që të ngrejë ndaj Blinken një padi direkte për shpifje publike.

Duke filluar nga momenti kur Blinken bëhet autor i një komedie dhe montazhi politik të destinuar për të më dëmtuar mua, kjo nuk hyn në funksionet e një ministri. Asnjë qeveri cilado qoftë ajo nuk mund të ketë funksion shpifjen dhe përbaltjen. Pra, sipas avokatit të tij që unë kam konsultuar, Blinken nuk është i mbrojtur me asnjë imunitet ndaj dhe do ta padis.

Do të paditet dhe dënohet nga gjykata e Parisit për shpifje. Një vendim ky i paparashikuar ndonjëherë në jetën time, por çështja e dinjiteti është më thelbësore e njeriut. Nëse i prek tjetrit nderin dhe dinjitetin, e vlerëson atë për veten e tij, familjen e tij, miqtë dhe komunitetin ku jeton. Kam qenë përgjegjës për dinjitetin e këtij populli dhe jam përpjekur të bëj gjithçka për dinjitetin e këtij populli.

Top Channel