168 mln euro detyrime të pashlyera/ Borxhi u ulu me 3.1 miliardë lekë nga rimbursimi i TVSH

20/05/2021 15:24

Detyrimet e prapambetura për faturat e pashlyera në kohë për mallra e shërbime kanë ndjekur një trajektore rënëse në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Financave stoku i detyrimeve arriti në 20.7 miliardë lekë në fund të marsit apo rreth 168 milionë euro, duke u ulur me rreth 3.1 miliardë në raport me fundin e vitit të shkuar.

Kjo ulje e nivelit të borxhit ka ardhur si rrjedhojë e shlyerjes rimbursimit të TVSH-së, që në periudhën janar-mars detyrimet për këtë zë zbritën në rreth 6 miliardë lekë, nga 9.7 miliardë që rezultoi në fund të dhjetorit 2020.

Megjithatë, nga të dhënat rezulton se borxhi i pushtetit qendror ka pësuar rritje për faturat e pashlyera nga thesari kryesisht për vendimet gjyqësore për largime të padrejta nga puna si dhe për pagesa të prapambetura për investime të kryera, mallra e shërbime të tjera duke e çuar nivelin e stokut të detyrimeve në 7.9 miliardë lekë, nga 6.9 miliardë që ishte vitin e kaluar.

Ndërsa detyrimet e pushteti vendor kanë ndjekur një trajektore rënëse tremujorin e parë të këtij viti, pasi totali i detyrimeve të prapambetura që kanë akumuluar 61 bashkitë e vendit zbriti në 6.8 miliardë lekë, nga mbi 7 miliardë lekë që përllogaritej në fund të 2020-ës.

Me gjithë përpjekjet, duket se zerimi i borxheve të prapambetura një shqetësim i ngritur herëpashere edhe nga institucionet financiare si FMN e Banka Botërore duket thuajse i pamundur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA