U vra në Londër, shokët e shqiptarit: “Paguajnë kriminelët që i sigurojnë hyrje në Angli”

19/05/2021 20:02

“Një jetë ëndrrash”, këtë kërkonte në Britani 22 vjeçari shqiptar Armend Xhika, i qëlluar për vdekje me thikë në një rrugë të Sheffield-it pak ditë më parë.

22 vjeçari mbeti i përfshirë në një përleshje mes një grupi personash në rrugën Earl Marshal. Ai u la jashtë repartit të urgjencës në Northern General Hospital nga një makinë, e cila më pas u largua teksa mjekët po përpiqeshin të ndihmonin të riun e plagosur rëndë. Një shok i Armendit rrëfeu për gazetaren e The Star, Claire Lewis, se 22 vjeçari kishte shkuar ilegalisht në Angli në 2018, për një jetë më të mirë për veten dhe familjen në Shqipëri.

Më pak se tre vjet më pas, jeta e tij u shua tragjikisht nga një goditje me thikë, shkruan Lewis. Shoku tha se të rinjtë shqiptarë paguajnë deri në 26 mijë sterlina për të hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe.Ata hyjnë në borxhe ose me bankat, miqtë e të afërmit në Shqipëri, ose me bandat kriminale që iu ofrojnë hyrjen. Miku i Armendit tha se ai bënte disa punë.

“Vdekja e tij duhet të shërbejë si zgjim e t’i bëjë njerëzit të kuptojnë se çfarë po ndodh në Sheffield”, u shpreh ai duke shtuar se grupet kriminale i shfrytëzojnë njerëzit si Armendi në Sheffield, pasi e dijnë mirë se ata nuk i kanë dokumentet për punë të ligjshme. “Nëse njerëzit janë në borxhe dhe të dëshpëruar për para ngaqë nuk kanë letra për mbështetje zyrtare, mund të bien pré e shfrytëzuesve”, vazhdon shoku i Armendit. Deri tani janë bërë pesë arrestime në kuadrin e hetimeve për vrasjen.

Top Channel