Në një reagim zyrtar nga SHBA bëhet me dije se ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij janë shpallur ‘non grata’ nga SHBA.
Lufta e hapur dhe qëndrimet e forta kundërshtuese ndër vite të Sali Berishës me SHBA si dhe krijimi kushteve për korrupsion të djalit dhe vajzës, janë ndëshkuar nga qeveria e SHBA.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken publikisht ka shpallur si person non grata në SHBA ish presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha bashkë më familjen e tij.
Është vetë sekretari Blinken i cili përmes një mesazhi në Twitter shkruan se ish-presidenti Shqipërisë Sali Berisha me aktet e tija korruptive minojnë demokracinë.
“Unë në mënyrë publike shpall Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë si të ndaluar për të hyrë në SHBA”. Ne- thekson sekretari amerikan i shtetit- qëndrojmë të bashkuar kundra korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”.
Ndërkohë në faqen e departamentin të shtetit jepen hollësi për këtë vendim ndëshkues ndaj Sali Berishës dhe familjes me motivacionin për përfshirje në mënyrë sinjifikative në korrupsion.
“Në funksionin e tij si kryeministër i Shqipërisë, Berisha është përfshirë akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale, dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve”.
Një tjetër shkak për këtë vendim thotë Departamenti amerikan i shtetit lidhet edhe me retorikën e përdorur nga Berisha për të mbrojtur veten, anëtarët e familjes dhe aleatët politik nga hetimet e pavarura antikorrupsion dhe masave llogaridhënëse.
Bashkë me Sali Berishën thotë DASH u ndalohet hyrja në SHBA edhe Liri Berishës, Shkelzen Berishës dhe Argita Berisha Malltezit.
Ky vendim i SHBA vërteton akuzat ndër vite se zoti Berisha përmes të birit dhe vajzës duke përdorur pozicionin e tij si kryeministër i favorizoi ata realizimin e pasurive të pajustifikuara ndërsa akuza tjetër e rëndë është se ka ndikuar që të mos hetohen këto akte korruptive.
Deklarata e plotë e Blinken
Sot, unë shpall përcaktimin publik të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës.
Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.
Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.
Ky përcaktim bëhet në bazë të Nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit për Buxhetin për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse, 2021. Përveç Berishës, unë përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë janë të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-ve për mbështetjen e reformave politike që janë kyçe për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah popullit shqiptar. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur përgjegjësinë për personat e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht.
Top Channel