Netanyahu: I “dërrmuam militantët”! Hamasi nxjerr nëndetësen “kamikaze”

19/05/2021 14:08

Me bombardimet 9 ditore në Gaza e kthyem Hamasin vite të tëra mbrapa, deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Operacionet në territor vazhdojnë me intensitet të plotë. Si ushtria izraelite, ashtu edhe grupet militante palestineze në Gaza vazhduan të shkëmbejnë zjarr, duke dëshmuar kështu qartazi se përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund dhunës, deri tani kanë pasur shumë pak sukses. Shefi i ekzekutivit izraelit këmbënguli se Hamasi që udhëheq Gazën ka marrë disa goditje të forta dhe shtoi se operacionet do të vazhdojnë derisa të rivendoset qetësia për qytetarët izraelitë.

Nuk kam asnjë dyshim se ne i kthyem ata për shumë vite prapa. Jam i sigurt se të gjithë armiqtë tanë e shohin çmimin që kemi për agresionin kundër nesh. Jam i bindur se do te nxjerrin mësime”, u shpreh Netanyahu.

Izraeli ndërkohë nxori pamje të momentit kur një mini-nëndetëse kamikaze e Hamasit u godit nga forcat ajrore të shtetit hebre, dhe personat që po e komandonin në distancë u neutralizuan në makinën e tyre. të paktën dy raketa e goditën objektivin duke shkaktuar një shpërthim të madh në ujrat përreth.

Izraeli llogarit se në fillim të konfliktit, fraksionet militante palestineze kanë pasur një arsenal prej rreth 12.000 raketash ose mortajash në Gaza. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se deri të martën pasdite, militantët kanë lëshuar rreth 3.300 raketa në Izrael, 500 e të cilave kanë dështuar.

Në New York, takimi i fundit i Këshillit të Sigurimit të OKB-së përsëri nuk arriti të prodhojë ndonjë marrëveshje, se si të koordinohet përgjigjja ndaj dhunës. SHBA-ja i bllokoi përpjekjet e mëparshme për të lëshuar një deklaratë të përbashkët të Këshillit të Sigurimit, që apelonte për armëpushim të menjëhershëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA