Kultivonin lëndë narkotike në tokat e tyre, arrestohen 4 qytetarë në Skrapar, kryeplaku i fshatit nën hetim për shpërdorim detyre

19/05/2021 10:40
Foto ilustruese

3 persona janë arrestuar në Skrapar pasi dyshohet se kishin mbjellë lëndë narkotike, kanabis në pronat e tyre.

Në fshatin Braçë janë arrestuar shtetasit: S. H., 47 vjeç, dhe Y. H., 38 vjeç, pasi ën tokat e tre u gjetën kubikë, ku ishin mbjellë fara kanabisi.

40-vjeçari me iniciale Sh.B., nga Tomorri, po ashtu u arrestua, pasi në minierën që zotëronte kishte mbjellë kanabis dhe në banesë mbante armë zjarri pa leje.
Kryeplaku i fshatit Braçë, 35-vjeçari me iniciale A.R. po hetohet në gjendje të lirë për shpërdorim detyre.
Prokuroria e Beratit ka nisur hetimet për rastet e mësipërme.

Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Poliçan dhe Skrapar, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatrat Barçë, Skrapar dhe Tomor, kubikë ku ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan dhe në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasit: S. H., 47 vjeç, dhe Y. H., 38 vjeç, banues në fshatin Braçë, pasi në tokat në pronësi të tyre u gjetën kubikë në të cilët ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa;

Sh. B., 40 vjeç, banues në fshatin Tomorr, Poliçan, pasi në një minierë në ambientet e banesës së tij u gjetën kubikë në të cilët ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës u gjet dhe u sekuestrua dhe një armë zjarri pushkë.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht dhe kryeplaku i fshatit Barçë, shtetasi A. R., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Top Channel