Avokatët e Thaçit dhe Veselit: Po mbani në burg katër burra, ndërkohë që Prokuroria s’është gati

19/05/2021 14:12

Pierre Richard Prosper, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka pasur kritika të forta për Prokurorinë Speciale, pasi kjo e fundit nuk deklaroi ndonjë datë se kur mund t’i kryejnë hetimet paraprake.

Prosper tha se Prokuroria duhej të ishte gati pasi ka mbi një vit e gjysmë që e ka paraqitur aktakuzën.

 “Prokuroria ka filluar punën para 5 viteve dhe duhej të ishte gati sepse ata e kanë paraqitur aktakuzën para 1 viti e gjysmë dhe ankohen se kanë punë tjera. Pse po e bëni aktakuzën atëherë? Na keni vënë në një pozitë ku klientët tanë kanë humbur lirinë sepse Prokuroria nuk është gati dhe ne po marrim materialin sipas tekave të tyre. Kjo është shqetësuese për ne dhe shkel të drejtat e njeriut”, tha ai.

Ai shtoi se ish-krerët e UÇK-së janë privuar nga prezumimi i pafajësisë.

“Janë privuar nga prezumimi i pafajësisë. Të gjithë klientët e tyre rrinë larg nga familjet dhe nuk e dinë tërësinë e akuzave, pikërisht për shkak se Prokuroria nuk është gati. Atëherë duhet të mblidhemi dhe ta shqyrtojmë lirimin me kusht për një të ardhme të parashikueshme dhe kur Prokuroria të jetë gati, të mblidhemi”, tha Prosper.

Edhe Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli u ankua se “Prokuroria është copë-copë në punën e saj”.

“Këta burra rrinë në paraburgim kur Prokuroria po e akuzon mbrojtjen. Kjo gjykatë nuk ka juridiksion për të gjykuar ndërmarrje të përbashkët kriminale”, tha Emmerson.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se deri në qershor do t’i kenë të plota materialet e dëshmitarëve për krerët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 “Ne jemi të vetëdijshëm për kohën dhe për afatet kohore që duhet respektuar. Jemi rreth dy muaj larg nga 23 korrik. Kur është e mundur do të nxjerrim pakot e plotë të dëshmitarëve, dhe shpresojmë të jemi gati t’i japim materialet në qershor”, theksoi zyra.

Ndërkaq, mbrojtja e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit theksuan se materialet duhet të kenë më herët, në mënyrë që të kenë kohë të përgatiten për mbrojtje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA