Sezoni turistik/ Manastirliu: Jemi gati! Në maj përfundon vaksinimi i operatorëve, po dezinsektohen zonat bregdetare

18/05/2021 11:44

Sezoni turistik do të jetë i sigurt, pasi janë marrë masat e nevojshme për të penguar përhapjen e Covid 19, sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Manastirliu dhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi kanë marrë pjesë në mbledhjen e Task-Forcës së Turizmit për qarkun e Tiranës, ku lajmëruan masat e përbashkëta për mbarëvajtjen e një sezoni turistik të sigurt. Sipas saj, në maj përfundon vaksinimi i punonjësve dhe operatorëve turistikë, ndërkohë që situata epidemiologjike paraqitet pozitive.

Është e vërtetë që jemi në një situatë epidemiologjike të kontrolluar, duke qenë se pozitiviteti i rastetve është nën 2%. Shqipëria ka dalë nga zona e riskut. Dua të theksoj se po vazhdojmë me intensitet procesin e vaksinimit sipas grupmoshave dhe grupeve prioritare, siç janë operatorët turistikë.
Do vijojmë vaksinimet me intensitet të shtuar, në mënyrë që të kemi një sezon turistik më të lehtësuar, por mbi të gjitha t’i garantojmë stafeve dhe pushuesve sigurinë e nevojshme”, tha ministrja.

Ndërkohë, ministri Klosi u shpreh se këtë vit do të kemi një sezon “covid free” dhe siguri të garantuar në të gjitha pikëpamjet.
Megjithatë them që edhe përse po shkojmë mirë me vaksinimin, na duhet që së bashku ekspertët e dy institucioneve tona t’i paraqesin Komitetit të Ekspertëve një protokoll të caktuar edhe për vitin 2021, pasi përsëri do të duhet të kemi disa rregulla në zbatimin e këtij sezoni ashtu siç në fakt kishim edhe në vitin e kaluar por pa dyshim ia dolëm që të ishim një sezon i kontrolluar nga pikëpamja e pandemisë”.

Manastirliu shtoi se qendrat shëndetësore verore do të jenë të hapura 24 orë dhe e gjitha vija bregdetare do të dezinsektohet. “Sezoni turistik do të vijojë që të ketë në komponentët e tij edhe hapjen e qendrave shëndetësore verore. Do të jenë edhe këtë vit 28 qendra shëndetësore verore, me kujdes 24 orë, të cilat do të hapen përgjatë të gjithë zonave bregdetare, por edhe atyre turistike malore. Komponenti i tretë po kaq i rëndësishëm është programi i dezinsektimit të zonave turistike, i cili ka nisur sot në vijën bregdetare të Durrësit dhe në zonën e jugut dhe deri në datë 28 maj përfundon dezinsektimi i parë si proces i plazheve, duke filluar nga Velipoja drejt Shëngjinit dhe duke u finalizuar përgjatë gjithë bregdetit”, tha Manastirliu.

Top Channel