Krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një darkë pune, të thirrur nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Por, ndryshe nga takimi i një dite më parë në Brdo të Sllovenisë, në Bruksel do të jenë kryeministrat e vendeve të rajonit, me përjashtim të Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. Në takim do të marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti, e i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Sipas paralajmërimeve, samiti do të shërbejë për të diskutuar “në mënyrë të hapur” për zhvillimet e fundit në rajon, procesin e zgjerimit, çështjet gjeostrategjike dhe forcimin e bashkëpunimit në rajon si dhe raporteve mes rajonit e BE-së. Edhe pse në disa media të Kosovës u tha se në këtë vizitë do të realizohet takimi i parë mes kryeministrit te Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic, kjo nuk do të ndodhë.

Vuçiç nuk do të marrë pjesë në këtë darkë pune, ku Serbia do të përfaqësohet nga kryeministrja, Ana Bërnabic. BE është e shqetësuar për zhgënjimin në rritje në Ballkanin Perëndimor, për shkak të ngecjeve në procesin e zgjerimit dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të shikojmë se si të kthejmë ndikimin e humbur në rajon“, thanë burime diplomatike europiane.

Jo zyrtarisht, në Bruksel theksohet se Borell ka hartuar vetë një “non paper” për këtë qëllim. Një prej temave të dokumentit është pikërisht “mungesa e vendosmërisë për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, përparimi i ngadalshëm i negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi në rrugën drejt BE-së, por edhe në zbatimin e përparësive kryesore në B-H dhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën”.

Top Channel