Në fillim të javës së dytë të konfliktit të rindezur izraelito-palestinez, presidenti amerikan, Joe Biden telefonoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për t’i thënë se mbështet vendosjen e një armëpushimi mes palëve.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë mbi telefonatën nuk sqaronte se çfarë përgjigjeje i ka dhënë Netanyahu një kërkese të tillë. Aty theksohet vetëm se “presidenti shprehu mbështetjen për një armëpushim dhe diskutoi mbi angazhimin e SHBA-së me Egjiptin dhe partnerë të tjerë drejt këtij qëllimi.

Biden, nga sa thekson deklarata, e inkurajoi Izraelin të bëjë çdo përpjekje për të siguruar mbrojtjen e civilëve të pafajshëm. Por, përsëriti sërish mbështetjen e tij të vendosur për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur nga sulmet e raketave. Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit gjithashtu “diskutuan lidhur me përparimin e operacioneve ushtarake të Izraelit kundër Hamasit dhe grupeve të tjera terroriste në Gaza”.

Gjatë së hënës, presidenti Biden dhe ndihmësit e tij punuan pas kuintave duke bërë presion për një pushim zjarri mes Izraelit dhe Hamasit, në sfondin e zhgënjimit që kanë ngjallur bombardimet e Izraelit ndaj një ndërtese të Gazës që strehonte disa organizata lajmesh.

Biden po përballet me presion në rritje nga ligjvënësit në Partinë e tij Demokrate për të luajtur një rol më të madh, por zyrtarët amerikanë thonë se ai dhe ekipi i tij kanë zgjedhur një përpjekje të pabujshme, duke biseduar me zyrtarë izraelitë dhe aleatë të Shteteve të Bashkuara në botën arabe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA