Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e ka quajtur një dëshmi suksesi operacionin e përbashkët të autoriteteve të Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë për kapjen e 400 kg kokainë në Lipjan ditën e sotme.

Çuçi shprehet se kjo është një luftë e vazhdueshme, por që do të pasohet nga operacione të tjera për ta bërë Shqipërinë dhe rajonin një vend më të sigurt.

Reagim i Ministrit te Brendshëm, Bledi Çuçi:

Goditja e kontrolluar e grupit kriminal që tentoi të trafikonte rreth 400 kg lëndë narkotike e llojit kokainë në Kosovë, është një tjetër dëshmi e suksesit të luftës së përbashkët kundër trafikut të drogës dhe provë e besimit të lartë të partnerëve te Policia e Shtetit. Hetimi profesional dhe intensiv mes disa shteteve na çoi në shkatërrimin e një rrjeti të fuqishëm në fushën e narkotikëve. Kjo është një luftë e vazhdueshme, që do të pasohet nga operacione të tjera dhe goditje si kjo e fundit, për ta bërë Shqipërinë dhe rajonin një vend më të sigurt.

Më herët, përfaqësues të prokurorisë së Kosovës, të SPAK-ut nga Shqipëria dhe anti mafies italiane u mblodhën në një konferencë live për të treguar për rezultatet e këtij operacioni.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti bëri me dije se policia kishte informacion për kontejnerin që prej datës 3 maj dhe më pas është ruajtur nga njësitë e Kosovës deri ditën e sotme, kur pas orës 11:00, të dyshuarit filluan aktivitetin kriminal.

Ndër të tjera theksoi se janë arrestuar 7 persona nga Kosova, janë konfiskuar 400 kg kokainë me vlerë 20 milionë euro, 1 armë dhe lloje të ndryshme të veturave që gjendeshin në depo.

Top Channel