Protesta në Durrës, shoqërohen 27 studentë, përplasje me policinë jashtë universitetit “Aleksandër Moisiu”
Tre persona kanë rënë në pranga në Korçë për vepra të ndryshme penale, ku njëri prej tyre ishte i shpallur në kërkim.
32-vjeçari S.F. u arrestua pasi ndihmoi persona që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin.
Një 39-vjeçar po drejtonte makinën pa leje drejtimi dhe më pas ka kundërshtuar policët për ta shoqëruar në komisariat.
Ndërsa një 61-vjeçar, banues në fshatin Diellas të Pustecit tregtonte mall pa dokumentacion me automjetin tip “Volkswagen” dhe në magazinën që kishte iu gjet mall kontrabandë.
Korçë
Bien në prangat e Policisë tre shtetas, njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim për veprën “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Dy shtetasit e tjerë, u ndaluan për vepra penale të kryera kundër autoritetit shtetëror, rendit publik dhe kontrabandës me mallra. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. F., 32 vjeç, banues në Pogradec (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër lirisë së personit). Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 14.05.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. L., 39 vjeç, banues në Korçë. Shtetasi i mësipërm, është kapur në lagjen nr. 3, Korçë, duke drejtuar mjetin motor tip “Lifan” pa leje drejtimi, pa dokumentacionin përkatës dhe në momentin e shoqërimit për në ambientet e Komisariatit, 39-vjeçari, ka kundërshtuar punonjësit e policisë gjatë kryerjes së detyrës. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. N., 61 vjeç, banues në fshatin Diellas, Pustec.
Ky shtetas, u kap në lagjen nr. 17, Korçë, pranë tregut të shumicës, me automjetin tip “Volksëagen”, duke tregtuar mallra ushqimore pa dokumentacionin përkatës (faturë blerjeje malli). Nga veprimet e mëtejshme, gjatë kontrollit të ushtruar në magazinën që ky shtetas dispononte në këtë treg, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale, mallra të tjera ushqimore të dyshuara si kontrabandë. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.
Top Channel