Ofensiva izraelite nuk ka të ndalur, e sipas kryeministrit të shtetit hebre, Benjamin Netanyahu fushata aktuale kundër militantëve palestinezë “do të vazhdojë për aq kohë sa nevojitet” , pavarësisht thirrjeve për qetësi nga Washingtoni dhe Kombet e Bashkuara.
“Do të vazhdojmë t’u përgjigjemi me forcë sulmeve me raketa”, tha Netanyahu duke zbehur kështu shpresat e një fashitjeje të konfliktit që po hyn në ditën e tij të shtatë.
Në shënjestrën e sulmeve ajrore izraelite përfundoi së fundi dhe shtëpia e vetë liderit politik të Hamasit, Yahya Sinwar. ushtria izraelite publikoi pamjet filmike të momentit kur bomba shënjestron dhe shkatërron ndërtesën.
Vetëm mëngjesin e së dielës, numëroheshin të paktën 26 viktima në Gaza. militantët palestinezë u përgjigjën me raketa, që i detyruan izraelitët në zonat kufitare të vraponin nëpër strehime. Teksa pritet një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bota sheh e alarmuar përshkallëzimin e situatës në territoret palestineze, i cili ka sjellë dhunën më të ashpër në këto zona që prej vitit 2014.
Pamjet e ndërtesës shumëkatëshe në Gaza ku ndodheshin zyrat e agjencive Associated Press dhe Al-Jazeera e që u shkatërrua nga sulmet ajrore izraelite të shtunën, u përhapën me shpejtësi në internet. Al-Jazeera vazhdoi të transmetonte sulmet ajrore ndërsa ndërtesa u shemb, duken thënë se ajo nuk do të heshtë deri në fund, ndërsa drejtori ekzekutiv i AP, Gary Pruitt tha se organizata e lajmeve ishte “e tronditur dhe e tmerruar” nga ky sulm të cilin e përshkroi si një paralajmërim nga Izraeli.
Bombardimet po rrezikojnë dhe selitë e huaja diplomatike, e vetë ambasada shqiptare në Izrael tha më herët se ka pasur goditje raketash edhe në afërsi të zyrave të saj. Që prej fillimit të luftimeve, 174 persona kanë humbur jetën në Gaza, përfshirë 47 fëmijë dhe 29, ndërsa në Izrael janë vrarë 10 vetë, ndër të cilët dy fëmijë.
Top Channel