16 shkurtin e vitit 2003, Nidal Farahat punonte mbi modelin e një droni të porsablerë e në krah kishte dhe disa militantë të Hamasit, të gjithë pjesëtarë të një njësie të angazhuar në zhvillimin e armëve.
Pak çaste më vonë, hidhen në erë nga një bombë e fshehur brenda vetë dronit në fjalë. Kishte qenë i gjithi një kurth i Mosadit izraelit. Kjo vrasje shënoi fillimin e një fushatë të gjatë të Izraelit për neutralizimin e palestinezëve të përfshirë në programe krijimi raketash e armësh të tjera. Asokohe, raketat Qassam kushtonin rreth 300 dollarë, e përshkonin një duzinë kilometrash.
Vdekja e Farahat qe një humbje simbolike, por nuk i ndaloi përpjekjet palestineze për të përmirësuar arsenalin e tyre, përkundrazi. Në 2009-tën, me ndihmën e Iranit ata sigurojnë edhe raketa Fajr, të cilat mbërrijnë me anije nga Sudani duke ndjekur një rrugë të përshkuar rëndom nga kontrabandistët. Izraeli përgjigjet me metodat e përhershme.
Janarin e atij viti, del lajmi i një sulmi ajror mbi një autokolonë kamionësh sudanezë në Shananun, që thuhet se transportonin armatime. Pranë portit të Sudanit fundoset një ngarkesë, lëvizje kjo pas të cilës thuhet se qëndron shteti hebre, e më pas vjen dhe një shpërthim misterioz në një autobuz të Damaskut, në bordin e të cilit kishte ekspertë të Hamasit dhe iraninë, të gjithë të përfshirë në planin e armatimit.
Nuk kalon as një muaj, dhe në një hotel të Dubait helmohet Mahmoud al Mabhouh, njeriu që bënte lidhjen mes Teheranit dhe njerëzve të besuar në Sudan. Lufta vazhdon e ashpër dhe e fshehtë prej vitesh, ndërsa rezulton se pas çdo përballjeje dhe goditjeje të Izraelit, palestinezët perfeksionojnë lëvizjet dhe armët e tyre, të cilat arrijnë edhe t’i fshehin më mirë.
Top Channel