Daniel Serwer: Serbia mund të paditet për genocid në Kosovë!

16/05/2021 16:16

Eksperti i njohur për Ballkanin, profesori i Universitetit Johns Hopkins Daniel Serwer, deklaroi se fakti që procesi gjyqësor për genocid nuk u paraqit përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë për ish-Jugosllavinë në lidhje me krimet në Kosovë nuk do të thotë se shteti serb nuk mund të paditet për genocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Megjithatë, ai bëri të ditur se nuk e di sesi mund të ndodhë kjo, për shkak se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është në mesin e shteteve që përfitojnë nga statuti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas tij megjithatë, një padi e mundshme e Kosovës kundër Serbisë për genocid, do të shkaktonte kritika nga Beogradi dhe do ta bënte dialogun më të vështirë, ndërsa zor se të merrte aprovimin e Brukselit dhe Washingtonit.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, përgatitjen për ngritjen e një padie ndaj Serbisë e ka bërë dhe pjesë të programit të saj katërvjeçar. “Ndoshta diçka e tillë është e vonuar. Njoftimi i autoriteteve të Kosovës sigurisht që do të ketë një efekt politik në Kosovë, Serbi dhe bashkësinë ndërkombëtare”, theksoi Serwer për edicionin e VOA-s në gjuhën serbe.

Ai u shpreh gjithashtu se këtu shtrohet dhe pyetja nëse veprat janë kryer me qëllim shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të një grupi kombëtar, etnik, racor apo fetar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA