Kryeministri britanik Boris Johnson paralajmëroi sot se varianti indian mund të prishë rihapjen e mëtejshëm në Angli, nëse vazhdon të përhapet atje, pas një rritjeje shqetësuese të këtij varianti në disa vende.
Duke iu nënshtruar një kontrolli të rreptë gjatë dimrit, BM, që numëron gati 128 000 vdekje të shkaktuara nga COVID-19, ka parë që gjendja e saj shëndetësore të përmirësohet dukshëm.
Megjithatë, tri ditë para fazës kryesore të heqjes së bllokimit, me rihapjen e hotelierisë, teatrove dhe vende kulturore, si edhe rifillimin e udhëtimeve jashtë vendit, shqetësimi po rritet përkundrejt përparimit të këtij varianti. “Në këtë pikë, nuk ka asnjë arsye për të shtyrë lehtësimin e së hënës”, tha udhëheqësi konservator në një konferencë shtypi.
“Por nëse varianti rezulton të jetë shumë më ngjitës, do të përballemi me zgjedhje të vështira”, theksoi ai, duke shtuar se “ky variant i ri mund të prishë seriozisht progresin tonë dhe ta bëjë shumë më të vështirë hedhjen e hapit tjetër”, më 21 qershor, kur supozohet se hiqen pothuajse të gjitha kufizimet.
“Asgjë nuk sugjeron që vaksinat tona do të jenë më pak efektive, megjithatë duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm”. Johnson shpjegoi se për të ndaluar përhapjen e variantit B1.617.2, intervali midis dy dozave të vaksinës (deri në tre muaj) do të ulet në tetë javë për personat mbi 50 vjeç dhe më të prekshmit.
Top Channel