Rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është një lajm i mirë për Spanjën, por ky shtet do të vazhdojë të mbajë qëndrimin e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, kështu thonë për KosovaPress, burime të larta diplomatike nga Ministria e Jashtme spanjolle.
Të pyetur nga KosovaPress, nëse Spanja mund të ndryshojë qëndrimin e saj në raport me pavarësinë e Kosovës, në një kohë kur zyrtarët e Bashkimit Evropian janë në përpjekjet kulmore për të nxitur palët të arrijnë një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, megjithatë diplomacia spanjolle tha se: “Spanja do të vazhdojë të mbajë qëndrimin e saj të mosnjohjes së deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në 2008”.
“Në çdo rast, qasja jonë është shumë konstruktive dhe mbështetëse e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Rinisja e dialogut Beograd-Prishtinë është një lajm shumë i mirë. Është e nevojshme të shfrytëzohet momenti për t’u përpjekur të arrihet një marrëveshje e pranueshme nga të dy palët dhe e respektueshme për të drejtën ndërkombëtare”, thanë diplomatët spanjollë.
Të pyetur për qëndrimin e Spanjës pas deklaratës së Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak se për Kosovën suksesi në dialog do të thotë të bëhet vend kandidat për anëtarësim në BE, diplomatët spanjollë i thanë KosovaPress-it se e mbështesin plotësisht punën e z. Lajçak, por nuk deshën të komentojnë premtimin e tij për Kosovën. “Ne mbështesim plotësisht punën e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun”, thanë këto burime diplomatike.
Siç dihet, Spanja është në mesin e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (Qipros, Greqisë Sllovakisë dhe Rumanisë) që kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008.
Njëra nga sfidat më të mëdha për lidershipin e Bashkimit Evropian është edhe bindja e këtyre vendeve për ta njohur pavarësinë e Kosovës, pasi që si rezultat i kësaj, edhe në rast të suksesi të mes palëve në dialog, proceset integruese të Kosovës do të jetë të bllokuara nëse këto vende nuk ndryshojnë qëndrimin e tyre karshi pavarësisë së Kosovës.
/KosovaPress/
Top Channel