Përndjekje, falsifikimi kompjuterik dhe lëndë narkotike/ Policia aksion në Tiranë, 5 të arrestuar

14/05/2021 10:51
Foto Ilustruese

Pesë persona janë vënë nën prangat e policisë në Tiranë, për vepra të ndryshme penale.

Një 27 vjeçar është arrestuar në flagrancë nga forcat e policisë, pasi Gjykata e Tiranës ka vendosur arrest me burg për veprat penale “Përndjekja” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

“Nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Kompjuterik në bashkëpunim me Seksionin e Kërkimit u kap dhe u ndalua shtetasi I. P., 27 vjeç, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Falsifikimi kompjuterik””, thuhet në njoftimin e policisë.

Dy të rinj janë vënë nën prangat e policisë gjithashtu, pasi nga kontrolli i ushtruar nga forcat “Shqiponja”, u janë gjetur dhe sekuestruar sasi lëndë narkotike. Kështu u arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. K., 34 vjeç, pasi në rrugën e Kavajës nga kontrolli fizik i ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kanabis ;

A. G., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin ky shtetas qarkullonte, Forca e Posaçme “Shqiponjat” gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike kokainë.

Ndërsa, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. Sh., 50 vjeç dhe Xh. D., 53 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.

Top Channel