Këshilli i Sigurimit mblidhet të dielën për të diskutuar për Gazën

14/05/2021 06:58
Qytetii Gaza i kthyer ne fushebeteje

Trupat tokësore të Izraelit iu bashkuan forcës ajrore në sulmin ndaj Rripit të Gazës të premten herët, tha në një deklaratë ushtria izraelite. Forca e Mbrojtjes e Izraelit kishin postuar në Twitter se trupat e saj ishin “duke sulmuar në Rripin e Gazës”. Por më pas, duke përmendur si arsye një problem komunikimi të brendshëm, ushtria sqaroi se trupat po godisnin me artileri nga brenda kufirit të Izraelit.

“E kisha thënë që Hamasi do të paguante një çmim të shtrenjtë” tha Kryeministri Benjamin Netanyahu në një deklaratë në video. “Ne po e bëjmë një gjë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me forcë.” Banorët e Gazës pranë kufirit me Izraelin konfirmuan për agjencinë Reuters se nuk kishin parë gjurmë forcash tokësore izraelite brenda enklavës, por ata njoftuan për zjarr të rëndë artilerie dhe dhjetra sulme ajrore.

Ndërsa dhuna hyri në ditën e pestë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara njoftoi se ra dakord të mblidhej të dielën për të diskutuar për situatën, pasi planet për një takim ishin shtyrë nga shqetësimet e Shteteve të Bashkuara. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë aktive në diplomaci në nivelet më të larta në përpjekje për të lehtësuar tensionet”, shprehej ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield në Twitter.

Luftimet që ndodhin gjatë festës myslimane të Fitër Bajramit, kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 103 palestinezëve përfshirë të paktën 27 fëmijë dhe 11 gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila shtoi se 530 njerëz janë plagosur. Shtatë izraelitë janë vrarë në sulmet me raketa, përfshirë një djalë 6-vjeçar.

Ushtria izraelite tha se tre raketa u hodhën nga Libani drejt Izraelit të enjten, por se ato ranë në Detin Mesdhe dhe nuk shkaktuan viktima. Të enjten, grupi militant palestinez Hamas hodhi raketa në lagjet izraelite dhe Izraeli u përgjigj me më shumë sulme ajrore në Rripin e Gazës, ndërsa përpjekjet për të ndaluar dhunën përshkallëzuese vazhdonin.

Në përgjigje të grumbullimit të trupave dhe tankeve të Izraelit përgjatë kufirit, zëdhënësi ushtarak i Hamasit Abu Obeida tha se grupi nuk kishte frikë nga një pushtim nga toka, duke thënë se çdo pushtim do të ishte një shans për më shumëushtarë të vdekur ose të kapur , sipas Associated Press. Shkëmbimi vdekjeprurës i zjarrit me raketa dhe sulme ajrore, përplasja më e madhe midis grupit militant palestinez dhe forcave izraelite që nga lufta e vitit 2014 në Gaza, ndodhi për shkak nga trazirat në rritje për kontrollin e Jeruzalemit dhe përpjekjet e kolonëve hebrenj për të marrë nën kontroll komunitetet arabe.

Tensionet kanë përfshirë edhe Bregun Perëndimor, ku kanë shpërthyer luftime të përgjakshme në disa qytete arabo-hebraike. Autoritetet kanë vendosur një ndalim-qarkullim natën në qytetin qendror të Lodit ku të paktën një person u godit këtë javë, ndërsa disa qindra njerëz në Lod dhe qytete të tjera janë arrestuar. Një turmë banorësh hebrenj të krahut të djathtë në qytetin Bat Yam sulmuan brutalisht një arab, duke e rrahur atë derisa humbi ndjenjat. Përpjekjet globale për t’i dhënë fund luftimeve shënuan një hap të rëndësishëm përpara të enjten kur zyrtarët egjiptianë të sigurisë u takuan me udhëheqësit e Hamasit në Gaza dhe me zyrtarët izraelitë në Tel Aviv, sipas dy zyrtarëve të zbulimit egjiptian.

Ndërsa doli lajmi për mbërritjen e zyrtarëve, Hamasi hodhi rreth 100 raketa drejt Izraelit jugor dhe qendror. Presidenti amerikan Joe Biden shprehu të mërkurën mbështetjen e tij për të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, ndërsa tha se shpresonte që luftimet të ndërpriteshin sa më shpejt. Pasi Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin foli të mërkurën me homologun e tij izraelit, Benjamin Gantz, Pentagoni nxorri një deklaratë ku thuhej se zoti Austin informoi zotin Gantz për “mbështetjen e palëkundur të Pentagonit për të drejtën legjitime të Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij.”

Në deklaratë thuhet se zoti Austin “dënoi me forcë hedhjen e raketave nga Hamasi dhe grupe të tjera terroriste që vunë në shënjestër civilët izraelitë” dhe “përsëriti rëndësinë e faktit që të gjitha palët e përfshira të ndërmarrin hapa për të rivendosur qetësinë”. Edhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi sulmet e Hamasit ndaj civilëve izraelitë në një bisedë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke deklaruar se “Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten”, ndërsa palestinezëve duhet t’u jepet e drejta “të jetojnë në siguri”. Zoti Blinken bëri gjithashtu bëri thirrje uljen e tensioneve.

Zoti Blinken gjithashtu tha se ai udhëzoi Hady Amrin, zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për çështjet e Izraelit dhe palestinezëve, të shkonte menjëherë në Lindjen e Mesme për të nxitur zyrtarët izraelitë dhe palestinezë që të marrin masa për uljen e tensioneve. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres denoncoi të mërkurën hedhjen e raketave “pa kriter” nga Gaza drejt qendrave të populluara në Izrael dhe i bëri thirrje Izraelit të ushtrojë “vetëpërmbajtje maksimale”./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA