I dënuar me 9 vite për trafik droge, kush është Ded Nimani që ‘rikthimi në biznes’ e çoi sërish në pranga

14/05/2021 21:31
Ded Nimani

Ded Nimani i arrestuar sot së bashku me efektivin e RENEA Xhulio Lici dhe Luan Gaçin , nuk është një emër i panjohur për policinë.

Në vitin 2017, Top Channel raportonte se si vuante dënimin me 9 vite burg për trafik droge, ndërsa sot sërish lënda narkotike e çoi atë në pranga.

Asokohe Nimani,ka dorëzuar një kallëzim nga qelia, sepse siç pretendonte, nuk kishte asnjë mundësi të paraqitej te noteri në Tiranë për të nënshkruar një deklaratë, në të cilën të binte dakord për të bijën për të udhëtuar jashtë Shqipërisë.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e kryeqytetit dërgoi si të pandehur bashkëshorten e Nimanit, shtetasen M. Nimani dhe noterin Lek Vatnikaj, që të dy nën akuzë për falsifikim dokumentesh.

Në kërkesën për gjykim përmendej se, bashkëshortja e të dënuarit kishte paraqitur një prokurorë, në të cilën avokati lejohej të përfaqësonte interesat dhe vullnetin e Nimanit. Por pas veprimeve hetimore, sipas prokurorëve, avokati kishte të drejtë ta mbronte të dënuarin vetëm për çështjen penale për të cilën ishte arrestuar dhe për asnjë çështje tjetër.

I pyetur nga prokurorët, noteri Vatnikaj ka pranuar se deklarata noteriale ishte firmosur pa praninë e babait të vajzës, pasi sipas tij dokumentin ia kishte dërguar të interesuarit më herët nëpërmjet avokatit.

Ded Nimani dhe Xhuljo Lici janë kapur në flagrancë së bashku me shtetasin Luan Gaçi me një pako lëndë narkotike Kokainë në aksin rrugor Tiranë -Durrës, rruga e vjetër në zonën e Ndroqit.

Top Channel