Greqia u hap për turizëm/ Pret turistë nga BE, SHBA, Britania, Izraeli, Serbia e Maqedonia! Kufiri me Shqipërinë i mbyllur

14/05/2021 20:19

Turistë nga vendet e  Bashkimit Evropian si dhe Britania, Shtetet e Bashkuara dhe  Izraeli, filluan të mbërrijnë prej mëngjesit të së premtes në aeroportet greke pasi Greqia filloi zyrtarisht sezonin e saj turistik duke hequr edhe shumicën e kufizimeve të pandemisë.

Nga një resort turistik në Sunio ministri Grek i Turizmit Harry Theoharis paraqiti pikat kryesore të planit të qeverisë për rinisjen e turizmit që përfshin protokolle dhe procedura të rrepta shëndetësore.

“Ne jemi duke rihapur industrinë greke të turizmit dhe duke e sjellë Greqinë përsëri në ballë të Evropës dhe botës si një destinacion ekuivalent me mikpritjen dhe sigurinë”, tha ministri i Turizmit, Harry Theoharis.

Autoritete greke premtojnë se do të mirëpresin vizitorët e tyre dhe do t’i mbajnë ata si dhe vendasit  të sigurt nga koronavirusi.

“Është më e mira që mund të na ndodhte. Po prisnim me padurim hapjen. Kemi qenë kaq kohë të mbyllur brenda”, tha një qytetar.

Greqia do të lejojë vizitorë nga Evropa dhe jo vetëm, tashmë pa karantinë pas mbërritjes së tyre, për sa kohë që janë vaksinuar ose mund të tregojnë rezultate negative të testit molekular.

Ndërsa në doganat me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë janë shfaqur turistët e parë nga Serbia, të cilët në 2019  ishin mbi 1 mln ,përveç Kakavijës që funksionon ende me 400 persona në ditë, Greqia nuk do të hapë tre pikat e tjera doganore me Shqipërinë si dhe nuk lejon turistë nga Shqipëria të paktën edhe për një dhjetë ditësh, derisa të rishikohen vendimet.

Sipas statistikave zyrtare hyrjet e turisteve shqiptare në Greqi shënuan një rritje prej 14% nga viti 2017-2019 ,ndërsa edhe të ardhurat prej tyre u rriten brenda këtyre tre viteve duke shkuar vetëm në 2019 në 212 mln euro .

Të njëjta stastistika tregojnë se shpenzimet mesatare të një nate të turistëve shqiptare në 2019 ishin 64 euro për person, jo shumë larg nga mesatarja e përgjithshme e turistëve në të gjithë vendin që shkonte në të njëjtin vit, në 76 euro. Mesatarisht turistët shqiptare kanë qëndruar gjatë 2019,  3.5 netë në Greqi, në krahasim me 7 net që është mesatarja e përgjithshme e turistëve të huaj.

Gjithashtu  destinacionet më të njohura në Greqi për shqiptarët ishin në 2019 : Epiri, Greqia Perëndimore dhe Maqedonia Perëndimore

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA