Krimineli i dënuar i luftës, Radovan Karaxhic, do të kryejë pjesën e mbetur të dënimit të tij për masakrën e 8 mijë myslimanëve në Bosnje, në një burg në Britaninë e Madhe.
Ministria e jashtme britanike tha se ai do të transferohej në jë burg në britaninë e madhe nga njësia e burgimit në Holandë, pas një kërkese të zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara.
Nuk janë dhënë detaje për datën e zhvendosjes por është thënë se të gjitha masat e nevojshme duhet të merren për transferimin e Karaxhicit sa më shpejt që të jetë e mundur”. Lideri i serbëve të Bosnjes i kohës së luftës u dënua për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij në mizoritë e kryera gjatë luftës së viteve 92-95. Karaxhic, ka qenë truri politik pas krimeve të serbëve në luftën e viteve 92-95 në Bosnje. Ai u dënua në mars 2016, për 10 akuza, përfshirë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.
Ai po ashtu u gjet fajtor për udhëheqjen e një fushate të spastrimit etnik që bëri që kroatët dhe myslimanët të braktisnin zonat e pretenduara nga serbët në Bosnje. Dënimi i tij për gjenocid, u lidh me përgjegjësinë e tij për vrasjen e rreth 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë në 1995. Kjo u cilësua si një nga masakrat më të rënda në Evropë që nga lufta e dytë botërore.
Karaxhic, ishte president i entitetit serb të Bosnjës, Republika Serbska, gjatë luftës atje. Pas luftës, ai u fsheh për shumë vite, duke u maskuar si një ekspert i mjeksisë alternative, para arrestimit të tij, në Serbi, në 2008. Në korrik 2008, Karaxhici u dorëzua në gjykatën e Hagës.
Top Channel