Trumpi çimenton kontrollin e Partisë Republikane me betejën e lidershipit të tyre në Kongres

13/05/2021 06:51

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të zgjedhin ligjvënësen Elise Stefanik në një post të lartë drejtues të premten, duke dërguar një mesazh të fuqishëm në lidhje me drejtimin e partisë ndërsa ligjvënësja nga Nju Jorku u ngrit në këtë pozitë pasi u dallua për mbështetjen e saj ndaj ish Presidentit Donald Trump.

Zonja Stefanik, 36 vjeç, do të marr postin e kryetares së Konferencës Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, post që mbahej nga ligjvënësja Liz Cheney, e cila u shkarkua të mërkurën pasi i quajti pretendimet e Trumpit për mashtrim në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, “një gënjeshtër të madhe”.

Zgjedhja e zonjës Stefanik për pozicionin e tretë më të fuqishëm në grupin parlamentar republikan të Dhomës së Përfaqësuesve kulmon një ndryshim të madh për ligjvënësen dikur kryesisht të panjohur që përfaqësonte distriktin e 21-të dikur demokrat të Nju Jorkut, e që tani është në fokusin e mediave pasi fitoi vëmendjen e Trumpit gjatë procesit për shkarkimin e tij herën e parë në Kongres.

‘Më mirë për shfaqje’

“Ish Presidenti Donald Trump nuk mendon se ideologjia, problematikat apo politikat janë në të vërtetë ato që përcaktojnë zgjedhjet; ai beson se gjithçka ka të bëjë me paraqitjen, me shfaqjen. Dhe ai beson se ligjvënësja Stefanik është më e mirë për shfaqje sesa ligjvënësja Cheney”, thotë Lara Brown, drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Menaxhimit të Politikave në Universitetin George Washington në Uashington.

Trumpi mbështeti ligjvënësen Stefanik, duke shkruar në blogun e tij të hënën se, “Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë një mundësi të mirë për të përmirësuar udhëheqjen këtë javë nga luftënxitësja Liz Cheney tek komunikuesja e talentuar Elise Stefanik “. Ai vazhdoi më tej, “Ndërsa afrohen zgjedhjet e mes mandatit të 2022 për në Kongres, ne kemi nevojë për dikë që ka përvojë në kthimin e shteteve nga blu (demokratë) në të kuqe (republikanë), dhe kjo është Elise! Ajo di si të fitojë, është ajo që na duhet”.

Në intervistën e saj të parë që kur njoftoi se do të kandidonte për postin drejtues të konferencës, ligjvënësja Stefanik i tha ish këshilltarit të Trumpit Stephen Bannon javën e kaluar se ajo e shikon këtë pozitë si një mundësi “për të përfaqësuar shumicën e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe se shumica dërrmuese e republikanëve të kësaj dhome mbështesin presidentin Trump, dhe fokusin e tij tek integriteti i zgjedhjeve dhe siguria e tyre”.

Deklaratat e ligjvënëses Cheney mbi votimin presidencial rindezën debatin brenda Partisë Republikane mbi pretendimet e pabazuara të Trumpit se ai fitoi zgjedhjet e nëntorit ndaj demokratit Joe Biden. Këto pretendime arritën kulmin me përkrahësit e tij që sulmuan Kapitolin më 6 janar në përpjekje për të ndalur numërimin e votave të Kolegjit Zgjedhor për presidentin Biden. Shkelja më e rëndë e sigurisë në Kapitol në më shumë se dy shekuj, la pesë persona të vrarë

‘Lufta me Kushtetutën’

“Zgjedhjet kanë mbaruar. Ky është ligji dhe procesi ynë kushtetues. Ata që refuzojnë të pranojnë vendimet e gjykatave tona janë në luftë me kushtetutën. Detyra jonë është e qartë. Secili prej nesh që ka bërë betimin duhet të veprojë për të parandaluar shpërbërjen e demokracisë sonë. Kjo nuk ka të bëjë me politikën apo partinë. Ka të bëjë me detyrën tonë si amerikanë. Heshtja dhe injorimi i gënjeshtrës e trimëron gënjeshtrarin. Unë nuk do të marr pjesë në të. Nuk do të heshtë ndërsa të tjerët e çojnë partinë tonë në një shteg që braktis shtetin ligjor dhe i bashkohet kryqëzatës së ish-presidentit për të minuar demokracinë tonë.”

Në një letër të hënën përpara votimit, udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy tha, “Këto konflikte të brendshme duhet të zgjidhen për të mos penguar përpjekjet tona kolektive. Duke dëgjuar nga kaq shumë prej jush ditët e fundit, është e qartë se duhet të bëjmë një ndryshim”. Në shkurt, zonja Cheney ishte republikania më e lartë që votoi për të fajësuar Donald Trumpin nën akuzën për nxitjen e trazirës së 6 janarit. McCarthy nuk votoi për fajësimin e tij, por tha në Dhomën e Përfaqësuesve se, “Presidenti mban përgjegjësi për sulmin e së mërkurës në Kongres nga protestuesit rebelë”.

Por zoti McCarthy mbështeti ligjvënësen Stefanik për vendin drejtues në fillim të kësaj jave, duke thënë se republikanët “duhet të jenë të bashkuar”. Një ligjvënëse në mandatin e saj të katërt në Kongres, Stefanik ka një rekord votimi shumë më të moderuar nga zonja Cheney, vajza e ish-nënpresidentit Dick Cheney. Stefanik u rrit në shtetin e Nju Jorkut dhe sipas biografisë së saj zyrtare, ishte e para në familjen e saj që fitoi një diplomë universiteti. Distrikti 21 në Nju Jork që përfaqëson zonja Stefanik votoi për ish-Presidentin Barack Obama dy herë përpara se të votonte për Trumpin në zgjedhjet e vitit 2016.

Grumbulluese e rëndësishme fondesh

Stefanik është gjithashtu një grumbulluese kryesore e fondeve për partinë republikane. Ajo arriti të grumbullojë 15 milionë dollarë në zgjedhjet e fundit ndërsa po bën shumë fushatë për të zgjedhur më shumë gra republikane në poste publike.

Ligjvënësja e Nju Jorkut ishte gjithashtu një nga 138 republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve që kundërshtuan rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, duke thënë, “dhjetëra miliona amerikanë janë të shqetësuar se në zgjedhjet e vitit 2020 pati shkelje nga zyrtarët shtetërorë dhe gjyqtarë të pazgjedhur që injoruan ligjet shtetërore të zgjedhjeve. Ne mund dhe duhet t’i diskutojmë në mënyrë paqësore dhe me respekt këto shqetësime”.

Por Lara Brown e Universitetit George Washinton thotë se ligjvënësja Stefanik do të duhet të jetë e kujdesshme për të mos u bërë objektivi kryesor i sulmeve të demokratëve gjatë zgjedhjeve të 2022-shit. “Ajo është ende në një distrikt shumë konkurrues. Dhe ndërsa mund të jetë duke fituar pikë me bazën republikane, tani po distancohet nga të pavarurit dhe të moderuarit që ishin në distriktin e saj dhe që e ndihmuan atë të fitonte zgjedhjet, “tha zonja Brown.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA