Departamenti amerikan i Shtetit ka akuzuar Kinën për kryerje të “gjenocidit” kundër myslimanëve ujgurë dhe minoriteteve tjera fetare në raportin e tij vjetor, në të cilin Irani dhe Rusia janë renditur të mesin e shkelësve më të mëdhënj të lirive fetare në botë.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Bliken ka shfrytëzuar raportin vjetor të DASH-it për lirinë fetare në botë, për të përmendur ata që konsiderohen shkelësit më të mëdhenj të lirive fetare.
“Liria fetare nuk mund të realizohet plotësisht nëse nuk respektohen të drejtat tjera të njeriut, dhe kur qeveritë shkelin të drejtën e njeriut për të besuar dhe për t’u falur lirshëm, kjo gjë rrezikon gjithçka tjetër”, ka thënë ai.
Blinken ka kritikuar abuzimet me lirinë fetare në Kinë, Iran dhe Mianar, të njohur edhe si Burma, më pas në Rusi, Nigeri dhe Arabi Saudite.
Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump ka thënë se politikat e Kinës në Ksinjiang janë të barabarta me krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pozicion që Blinken e ka përkrahur.
Gjatë rishikimit të përmbajtjes së raportit, Blinken ka theksuar që anti-semitizmi dhe urrejtja ndaj myslimanëve është rritur në botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, dhe se kjo gjë përbën problem serioz.
Sa i përket Kosovës, në raport është thënë se Policia e Kosovës, gjatë vitit 2020, ka pranuar raporte për 57 incidente kundër vendeve fetare ose varrezave, krahasuar me 61 incidente të ngjashme në vitin 2019.
Në raport është thënë se shumica e incidenteve të lartpërmendura janë klasifikuar si vjedhje, ndonëse disa kanë përfshirë edhe dëmtime në varreza ose prona të tjera.
Top Channel