Vrasja e Mehmet Qemës/ 5 personat që ishin pranë tij në minutat e fundit të jetës arrestohen, 1 vihet nën hetim (Emrat+Fotot)

12/05/2021 00:02

Policia ka vendosur të arrestojë 5 persona nga 6 që ishin të pranishëm gjatë vrasjes së Mehmet Qemës mbrëmjen e djeshme në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Ata janë Blerim Hoti, Erlin Peka, Xhuliano Koçi, Frenkli Myftarin dhe Marius Dema, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së 27-vjeçarit.

Një prej të vetëdorëzuarve, Blerim Hoti është ish i dashuri i reperes së famshme Baby G, njëkohësisht edhe mik i ngushtë i reperit Stresi.
Marius Dema, autori i dyshuar u vetëdorëzua disa orë pas vrasjes, pas negociatave me avokatët dhe familjarët bashkë me Frenkli Myftarin, i cili ishte prezent në ngjarjen e rëndë.

Dema akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje” , ndërsa të tjerët për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në lidhje me ngjarjen M. H., 23 vjeç, është vënë nën hetim për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Mësohet se i riu Marius Dema në dëshminë e tij ka thënë se e ka vrarë pa dashje shokun e tij, ndërsa edhe në pamjet e siguruara nga gazetarja, Anila Hoxha shihej që ai luante me armën dhe e drejton edhe nga Qema.

Braild Aga 23 vjeç dhe A. C., 31 vjeç, janë marrë në pyetje dhe nga tërësia e provave dhe fakteve të grumbulluara nuk rezulton që të jenë të përfshirë në veprimtari kriminale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë dhe 1 fishek.

Si ndodhi ngjarja?

27-vjeçari Mehmet Qema ka qenë i ulur në një lokal në lagjen “5 Maji” në Tiranë bashkë me shokët e tij, jashtë orës policore të vendosur në kuadër të masave anticovid, ndërsa Dema fillon e luan me armën, por papritmas ajo shkrepet dhe Qema qëllohet me plumb në gjoks.
Dëshmitarët, mes tyre edhe Eder Pjetra tregojnë se përpara vrasjes të rinjtë po qëndronin qetësisht dhe nuk kishin asnjë konflikt, por një pakujdesi solli vdekjen e një të riu.

Viktima kishte vetëm pak ditë që kishte ardhur nga Londra dhe njihej me nofkën “Tallman”, ose “Hasjanali”, ndërsa ka marrë pjesë edhe në videoklipe në këngë të ndryshme reperash. Kjo ngjarje solli edhe zbulimin e një makinerie që prodhon monedhën virtuale Bitcoin, e cila është gjetur në vendin e ngjarjes ku u vra 27-vjeçari Mehmet Qema.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore në lidhjen me ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “5 Maj” bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve : M. D., 28 vjeç, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje” ; E. P., 25 vjeç, B. H., 28 vjeç, F. M., 29 vjeç dhe Xh. K., 19 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi M. H., 23 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Gjithashtu janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit shtetasit të shpallur në kërkim B. A., 23 vjeç dhe A. C., 31 vjeç, pasi nga tërësia e provave dhe fakteve të grumbulluara nuk rezulton që të jenë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë dhe 1 fishek. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, shkruan policia.

FOTO GALERI
4/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA