Policia e Durrësit ka vënë në pranga katër persona, si dhe janë sekuestruar 900 gramë lëndë narkotike kokainë. Arrestimi i tyre u bë në kuadër të operacionit të koduar “Taksisti”.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se policia ka shkuar në zonën e Plazhit në Durrës, pas një informacioni që kishin marrë se një 55-vjeçar me mjetin e tij taksi, së bashku me pasagjerin 52-vjeçar, kishin shkuar për të blerë një sasi lënde narkotike tek dy shtetas të tjerë.
Në momentin e konstatimit dhe të ndërhyrjes së Policisë dy të rinjtë, të cilët posedonin lëndën narkotike, ndodheshin në një lokal në zonën e plazhit dhe sapo kanë vënë re prezencën e Policisë kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar dhe arrestuar gjatë ndjekjes.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti taksi dhe 6 aparate celular.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Taksisti”.
Vihen në pranga 4 shtetas.
Sekuestrohen 900 gramë lëndë narkotike kokainë.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Durrës, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Taksisti”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E.Sh., 30 vjeç, V. M, 29 vjeç (i dënuar me pare me korrupsion aktiv), A. Gj., 55 vjeç, të tre banues në Durrës dhe A. B., 52 vjeç, banues në Tiranë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas një informacioni të marrë në rrugë operative se shtetasi A. Gj. kishte ardhur në zonën e Plazhit, me mjetin e tij taksi, së bashku me shtetasin A. B. (pasagjer), për të blerë një sasi lënde narkotike tek dy shtetas të tjerë, kanë organizuar punën për kapjen e tyre.
Në momentin e konstatimit dhe të ndërhyrjes së Policisë, shtetasit E. Sh. dhe V. M., të cilët posedonin lëndën narkotike, ndodheshin në një lokal në zonën e plazhit dhe sapo kanë vënë re prezencën e Policisë kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar dhe arrestuar nga Policia gjatë ndjekjes.
Gjate tentativës për t’u larguar, këta shtetas kanë hedhur një pako, e cila më pas u konstatua si lëndë narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 900 gramë.
Gjatë operacionit u bë kapja dhe arrestimi edhe i dy shtetasve të tjerë A. Gj. dhe A. B., të cilët do blinin lëndën narkotike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti taksi dhe 6 aparate celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel