SHBA/ Përplasje në Senat rreth ndryshimeve në ligjin zgjedhor

12/05/2021 06:32

Të martën në Senat nisi një betejë mbi zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara ndërsa demokratët po përpiqen të miratojnë një projektligj gjithëpërfshirës që ata thonë se do të zgjeronte qasjen e amerikanëve tek votimi. Masa ligjore vjen ndërsa disa shtete të kontrolluara nga republikanët po vendosin kufizime të reja në këtë drejtim.

Komisioni i Senatit për Rregulloren dhe Administratës debatoi rreth një projektligji prej 886 faqesh, hartuar nga demokratët me kontributin e disa zyrtarëve shtetërore të cilët merren me administrimin e proceseve zgjedhore.

Ndër nenet e përfshira në projekligj është ai që parashikon një zgjerim të votimin përmes postës, një formë që u përdor gjerësisht në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Gjithashtu parashikohet një zgjatje e orareve të votimit në rastet kur shkohet fizikisht për të votuar në qendrat e votimit.

Shfaqja e pazakontë e udhëheqësve të lartë demokratë dhe republikanë të Senatit gjatë punimeve të komisionit nënvizoi rëndësinë e asaj çka është në lojë, ndërsa vëmendja po përqëndrohet tek zgjedhjet për Kongresin që mbahen në nëntor të vitit 2022. “Projektligji i paraqitur para këtij komisioni kërkon ta bëjë më të lehtë, jo më të vështirë qasjen tek votimi”, tha udhëheqësi i shumicës së Senatit demokrati Chuck Schumer.

Në pjesën dërrmuese të komenteve të tij ai u përqëndrua tek ndryshimet në ligjin zgjedhor të miratuara këtë vit nga ato shtete të cilat kontrollohen nga republikanët, duke i karakterizuar ato si anti-demokratike dhe duke thënë se “mbartin shijen e ndrydhjes (së votës)”. Ligjet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit shkojnë përtej reformës zgjedhore, duke u përpjekur t’i japin fund qasjes së njëanshme politike të njësive administrative, e të pengojnë që në fushata zgjedhore të përdoren “para të cilave nuk u dihet origjina”, për shkak të fshehjes së identitetit të donatorëve.

Për muaj të tërë ish-Presidenti Donald Trump, ka bërë pohime të pabazuara në fakte se ai i humbi zgjedhjet e vitit 2020 për shkak të manipulimeve masive me votat. Sipas ekspertëve manipulimi i zgjedhjeve është jashtëzakonisht i rrallë në Shtetet e Bashkuara. Një numër i madh gjykatash si dhe zyrtarë shtetërorë e federalë që u morën me administrimin e zgjedhjeve, i kanë hodhur poshtë pretendimet e zotit Trump.

Të martën udhëheqësi i republikanëve në Senat Mitch McConnell tha se projektligji i demokratëve nuk ishte asgjë më shumë sesa një përpjekje për kapje të pushtetit. “Ky ligj do t’u krijonte demokratëve në Uashington mundësinë të diktonin kushtet e garave për rizgjedhje, duke rishkruar të gjitha ligjet zgjedhore të 50 shteteve”, tha zoti McConnell.

Projektligji po përballet me mosmarrëveshje të gjata në Senat. Për miratimin e tij demokratëve do t’u nevojiteshin votat e të paktën 10 republikanëve. Në mars, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët miratoi një projektligj të ngjashëm me versionin e Senatit, por pa mbështetjen e republikanëve. Debatet në Kongres, vijnë pas miratimit nga shteti i Xhorxhias në muajin mars të një ligji zgjedhor të propozuar nga republikanët që ndalon ndër të tjera t’u jepet ujë apo ushqim atyre zgjedhësve që presin në radhë të gjata për të votuar.

Një sondazh i muajit mars zhvilluar nga Reuters dhe kompania Ipsos doli në përfundimin se për 81% të të rriturve në SHBA ishte “shumë” ose “disi” e rëndësishme që qeveria ta bënte më të lehtë procesin e votimit. Por i njëjti sondazh tregoi gjithashtu se 74% e shohin po aq të rëndësishme vendosjen e kufizimeve të reja në votim, për të mbrojtur zgjedhjet nga manipulimet./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA