Protestë me kërcënim për vetëflijim/ Ngjitet në skelat e Muzeut: Shkak konkurrenca e pandershme në linjat e transportit më Kosovën

12/05/2021 15:09

Në orët e para të mëngjesit në skelat e Muzeut Kombëtar një pronar linje ndërqytetëse i quajtur Admir Jahelezaj kërcënoi se do të vriste veten nëse kërkesat e tij nuk dëgjoheshin nga ministrja Balluku dhe kryeministri Rama.

Jahelezaj pretendon se linjës së tij i është bërë konkurrencë e pandershme nga kompani të tjera, që e kanë çuar në falimentim të biznesit dhe përfshirjen e tij në borxhe.

Në vendngjarje ishte nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu, i cili bëri negociata për zbritjen nga skela dhe më pas shoqërimin e tij drejt komisariatit numër 3, ku u mor në pyetje dhe është proceduar në gjendje të lirë.

Jahelezaj me mjetet e tij të transportit ka qenë i punësuar në kompaninë Rilindi shpk që sot e akuzon për krijimin e monopolit në treg, së bashku me një tjetër kompani Driagona. Në momentin kur vëllezërit Jahelezaj kanë marrë licencën për të vijuar veçmas aktivitetin e tyre ata pretendojnë se kanë marre gjoba dhe i është bllokuar puna në mënyrë te padrejte nga policia rrugore dhe policia e Tropojës, duke përmendur edhe emra konkretë.

Vëllai i tij u shpreh se familja e tyre ka marrë edhe kërcënime me jetë nga Rifat Hajdini dhe i biri administrator të kompanisë Rilindi në doganën e Kukësit, çështje e cila u dërgua ne Prokurorinë e Prizrenit dhe ku personat që kanosën u lanë në gjendje të lirë.

Sipas të vëllait, Ismet Jahelezaj banka ka bërë kërkesë në Gjykatë për sekuestrimin e mjeteve te tyre, sepse nuk kanë paguar kreditë, ndërkohë që pretendon se vlera e mjeteve nuk i shlyen dot borxhet e tyre dhe vetëflijimi është parë si mundësia e fundit.

Ata shprehen se nuk kanë marre asnjë përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës në Shqipëri, por vetëm nga Ministria e Transportit të Kosovës që i ka dhënë të drejtë për ankesat e tyre.

Top Channel