Për vrasjen e 20-vjeçares në Greqi, brenda shtëpisë së saj në Glyka Nera, policia ka nisur hetimet dhe deri më tani dyshohet se autorët të jenë ciganë me origjinë shqiptare, por nuk përjashtohet fakti që të jenë edhe gjeorgjianë.
Mediat greke shkruajnë se autopsia bërë viktimës, që përfundoi mesditën e së mërkurës, doli në përfundimin se 20-vjeçarja ndërroi jetë për shkak të “bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes për shkak, si pasojë e mbytjes”.
Kështu raportohet se autori i vrasjes ia mbylli gojën vajzës me copa pëlhure dhe ia shtrëngoi gojën fort me dorë në mënyrë që të mos kishte mundësi të bërtiste.
Po ashtu, në të njëjtën kohë me gishtin e madh dhe gishtin tregues, grabitësi i bllokoi hundën. Kështu që vajza nuk mund të merrte dot frymë, duke humbur jetën në mënyrë të dhunshme.
Hetimi nga ekipet që kanë marrë përsipër zbardhjen e ngjarjes pritet të zbulojë personat përgjegjës për aktin e rëndë. Por autoritetet greke janë të bindur se grabitësit janë anëtarë të grupeve kriminale, të cilët kanë hyrë edhe në shtëpi të tjera për të grabitur, kur pronarët kanë qenë brenda tyre. Pra ky nuk ishte rasti i parë për ta.
Po ashtu policia dyshon se zgjedhja e shtëpisë nuk ishte e rastësishme nga grabitësit, pasi ata kanë marrë edhe informacione për familjen.
Top Channel