Tash e sa javë, protestuesit palestinezë dhe policia izraelite janë duke u përleshur në baza ditore në dhe përreth Qytetit të Vjetër të Jerusalemit. Atje ndodhen vendet kryesore fetare – të shenjta për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.
Jerusalemi ka qenë, në fakt, skenë e konfrontimeve të dhunshme midis hebrenjve dhe arabëve tash e 100 vjet dhe mbetet një nga qytetet më të kontestueshme në botë. Përleshjet e fundit filluan një muaj më parë, kur Izraeli bllokoi disa tubime të palestinezëve, në fillim të Muajit të shenjtë të Ramazanit.
Pasi ato kufizime u zbutën, plani për të dëbuar dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jerusalemit Lindor vazhdoi të nxiste konfrontime. Të hënën, qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me policinë izraelite. Protestuesit hidhnin gurë në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit gaz lotsjellës dhe plumba gome. Disa policë u plagosën po ashtu. Përse Jerusalemi është gjithmonë në prag të shpërthimit?
Kryeqytet i dy popujve
Izraeli e sheh Jerusalemin si kryeqytet të tijin “të unifikuar” dhe “të përjetshëm”. Ai e ka aneksuar Jerusalemin Lindor – i cili përfshin edhe Qytetin e Vjetër – në luftën e vitit 1967, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Gazën. Palestinezët i duan këto territore për shtetin e tyre të ardhshëm, ndërsa Jerusalemin Lindor e shohin si kryeqytet të shtetit të tyre. Aneksimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli nuk njihet nga shumica e vendeve të botës dhe fati i kësaj pjese mbetet ndër çështjet më të komplikuara në procesin e paqes, i cili ka ngecur më shumë se një dekadë më parë. Izraelitët, të hënën, do të shënonin Ditën e Jerusalemit, një festë kombëtare që shënon aneksimin. Në vitet e kaluara, mijëra izraelitë – kryesisht nacionalistë fetarë – marshonin nëpër Qytetin e Vjetër, duke përfshirë edhe Lagjen Myslimane, gjë që shumë palestinezë e konsideronin si provokim. Në ditët e fundit, izraelitët nacionalistë organizuan ngjarje të tjera në Jerusalemin Lindor, që çuan në grindje të dhunshme me palestinezët.
Maja e shenjtë
Përleshjet e së hënës u zhvilluan në dhe rreth xhamisë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër. Xhamia është vendi i tretë më i shenjtë në Islam dhe ndodhet në një rrafshnaltë, ku gjendet edhe kupola e artë ikonike. Myslimanët i referohen kompleksit si Shenjtërorja Fisnike. Rrafshnalta është e shenjtë edhe për hebrenjtë dhe ata i referohen asaj si Mali i Tempullit, sepse ishte vend i tempujve biblikë. Romakët e shkatërruan Tempullin e Dytë në vitin 70 para erës sonë dhe atje mbeti vetëm Muri Perëndimor. Xhamitë u ndërtuan shekuj më vonë.
Jordania fqinje shërben si kujdestare e lokacionit. Ai është i hapur për turistët në kohë të caktuara, por vetëm myslimanët lejohen të luten atje. Muri Perëndimor është vendi më i shenjtë, ku hebrenjtë mund të luten. Në vitet e fundit, grupe hebrenjsh fetarë dhe nacionalistë, të shoqëruar nga policia, kanë vizituar kompleksin në një numër më të madh dhe kanë mbajtur lutje në kundërshtim me rregullat e vendosura pas vitit 1967 nga Izraeli, Jordania dhe autoritetet fetare myslimane. Palestinezët i shohin vizitat e shpeshta të hebrenjve si provokim dhe ato shpesh shkaktojnë përleshje ose dhunë edhe më serioze. Disa izraelitë thonë se lokacioni duhet të jetë i hapur për të gjithë besimtarët. Palestinezët refuzojnë, nga frika se Izraeli do ta marrë përsipër ose do ta ndajë atë. Zyrtarët izraelitë thonë se nuk e kanë ndërmend ta ndryshojnë status quo-në.
Politikat diskriminuese
Hebrenjtë e lindur në Jerusalemin Lindor janë qytetarë izraelitë, ndërsa palestinezëve nga Jerusalemi Lindor u jepet një formë e qëndrimit të përhershëm, e cila mund të revokohet, nëse ata jetojnë jashtë qytetit për kohë të gjatë. Palestinezët mund të aplikojnë për shtetësi, por është një proces i gjatë dhe i pasigurt dhe shumica zgjedhin të mos e bëjnë, sepse nuk e njohin kontrollin e Izraelit. Izraeli ka ndërtuar vendbanime hebraike në Jerusalemin Lindor, ku jetojnë rreth 220,000 njerëz. Ai e ka kufizuar shumë rritjen e lagjeve palestineze.
Grupi izraelit i të drejtave të njeriut B’Tselem dhe Human Rights Watch me qendër në Nju Jork, në raportet e tyre të fundit, kanë folur për politika diskriminuese në Jerusalemin Lindor, duke argumentuar se Izraeli është fajtor për krim të aparteidit. Izraeli i hedh poshtë këto akuza, duke thënë se banorët e Jerusalemit trajtohen në mënyrë të barabartë.
Kërcënimet me dëbime
Përleshjet e fundit nisën në fillim të Ramazanit, kur policia izraelite vendosi barriera jashtë Portës së Damaskut të Qytetit të Vjetër. Atje zakonisht mblidhen besimtarët myslimanë, pas faljeve të mbrëmjes. Policia më vonë i largoi barrierat, por protestat u përshkallëzuan më pas, për shkak të kërcënimit me dëbim të dhjetëra familjeve palestineze nga lagjja Sheik Jarrah e Jerusalemit Lindor.
Familjet janë përfshirë në një betejë të gjatë ligjore me të ardhurit hebrenj, që përpiqen të marrin pronë në lagjet palestineze, pranë Qytetit të Vjetër. Izraeli i paraqet ato si mosmarrëveshje private rreth pasurisë së patundshme, por rasti ka tërhequr vëmendjen globale./REL
Top Channel