Një 33-vjeçar, i identifikuar si Marsel Rusi, i cili u vetëplagos plumb në fundshpinë gjatë mbrëmjes së djeshme është nisur drejt spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë mjekim të specializuar.
Fillimisht, ai u ndalua dhe u mjekua në spitalin e Korçës. Nga burimet spitalore për Top Channel thuhet se Rusi ka shenja në kokë por nuk bëhet me dije shkaku nga bluzat e bardha.
Policia ende nuk ka sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes por dyshohet që ai të mos jetë plagosur në Korçë. Sipas të dhënave, rezulton se Rusi ka qenë person që luante edhe kumar megjithëse nuk konfirmohet ende që plagosja të ketë lidhje me këtë pjesë. Policia vijon hetimet.
Ndërkohë është arrestuar edhe shoku i tij Andi Adri. Të dy akuzohen se kanë krijuar prova të rreme për të shmangur të vërtetën e ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Arrestohen në flagrancë për veprën penale “Kallëzimi i rremë”, i vetëplagosuri i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme dhe shoku i tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në qytetin e Korçës, ku u vetëplagos me armë zjarri 33-vjeçari M. R., banues në Korçë, pas veprimeve hetimore të kryera bënë arrestimin në flagrancë të tij dhe shokut të tij shtetasit A. A., 32 vjeç, banues në Pogradec.
Shtetasit e mësipërm, kanë krijuar prova të rreme, me qëllim shmangien nga e vërteta e ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme hetimore.
Top Channel