Sulmi kibernetik ndaj tubacionit më të madh të transportit të naftës në SHBA, për të cilin amerikanët fajësojnë individë të lidhur me Rusinë, është “qartazi një akt kriminal,” tha Presidenti Biden të hënën.
“Në mbarë qeverinë federale, institucionet po punojnë për të neutralizuar ndikimin në furnizimet me naftë,” shtoi presidenti në hapje të fjalës mbi axhendën e tij ekonomike. Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse ka prova se Rusia ishte e përfshirë në sulm, pasi kishte përmbyllur komentet e para-përgatitura, presidenti tha “Do të takohem me Presidentin Putin. Deri tani, nga zbulimi ynë nuk ka prova se Rusia ishte e përfshirë”.
Ai shtoi se provat që programe kompiuterike keqbërëse e kanë origjinën në Rusi bëjnë që Moska “të jetë përpara përgjegjësisë”. Ligjvënësi demokrat Ruben Gallego, tha, “Qeveria ruse nuk mund të strehojë terroristë kibernetikë dhe të mos ndjejë pasojat e këtyre akteve”. Tiubacioni Colonial që e ka qendrën në shtetin amerikan Xhorxhia, mbylli operacionet si masë mbrojtëse të premten, pasi hakerët depërtuan në sistemin e tij, sipas zyrtarëve amerikanë.
“Colonial po punon me konsulentë privatë për të përllogaritur dëmin dhe për të vendosur kur mund të kthehet përsëri në funksionim,” tha këshilltarja për sigurinë kombëtare Elizabeth Sherwood-Randall në komente për gazetarët para se ta merrte fjalën presidenti. “Situata mbetet e paqartë, por ekipi i kompanisë Colonial po zbaton një plan me hapa graduale për të bërë të mundur kthimin në funksionim me etapa,” tha kompania në një deklaratë të nxjerrë të hënën.
Çmimi i karburantit në SHBA arriti nivelin më të lartë në shtatë vjet. “Nuk parashikojmë probleme me furnizimin,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. Colonial transporton afërsisht 2.5 milion fuçi në ditë karburant dhe lëndë djegëse të tjera nga rafineritë në zonën e Gjirit të Meksikës tek konsumatorët në pjesën qendrore në brigjet e Atlantikut dhe shtetet juglindore. Rrjeti i gjerë i tubacioneve u shërben aeroporteve kryesore amerikane, përfshirë Aeroportin Hartsfield Jackson të Atlantës, më i ngarkuari në botë përsa i takon trafikut të udhëtarëve.
Një grup që e prezanton veten me emrin “Darkside”, që operon si një bandë e krimit kibernetik, nxori një deklaratë të hënën ku thotë se synimi i sulmit është “të bëjnë para dhe jo të krijojnë probleme për shoqërinë”. Deklarata nuk përmendte sa para kanë kërkuar autorët e këtij akti, por shton se do të sigurohej që kriminelë të tjerë që veprojnë në hapësirën kibernetke nuk do të “shkaktojnë pasoja sociaale në të ardhmen” duke shtuar se ky grup është “apolitik dhe nuk është i lidhur me ndonjë qeveri të caktuar.
Të dielën, qeveria amerikane nxori një deklaratë të pazakontë emergjente lidhur me sulmin që ka paralizuar transportin e naftës në SHBA. “FBI-ja konfirmon se programe të dëmshme kompiuterike të grupit Darkside janë përgjegjëse për kompromentimin e tubacionit Colonial,” tha Byroja Federale e Hetimeve në një deklaratë të hënën në mesditë. “Po vazhdojmë hetimet në bashkëpunim me qeverinë dhe kompaninë”.
FBI-ja më parë kishte këshilluar që të mos u paguhej shpërblim autorëve të sulmit për të ndalur këtë akt. Por të hënën Shtëpia e Bardhë tha se vendimi i takon kompanisë dhe nuk pranoi të komentonte nëse është paguar ndonjë shumë. Disa ligjvënës kanë bërë thirrje për masa më të forta mbrojtëse për infrastrukturën energjetike të Amerikës përballë kërcënimeve kibernetike. Administrata Biden njoftoi muajin e kaluar një nismë private-publike për të përmirësuar sigurinë kibernetike të sektorit të energjisë elektrike.
“Do ta pasojmë me nisma të ngjashme për tubacionet e gazit, ujit dhe infrastrukturë të ngjashme,” tha presidenti të hënën. Deklarata e gjendjes emergjente, e nxjerrë nga Departamenti i Transportit, e cila vazhdon deri më 8 qershor, bën thirrje për shtimin e planeve dhe pistave alternative për transportin e naftës e gazit dhe zbuti rregulloret që kufizojnë numrin e orëve që mund të udhëtojnë pa pushim shoferët e cisternave të naftës në 17 shtete në jug dhe lindje të vendit./VOA
Top Channel