Talibanët kanë shpallur armëpushim tre ditor për festën e Fitër Bajramit. Dhuna në Afganistan është shtuar gjatë ditëve të fundit.
Festa e Fitër Bajramit që shënon fundin e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit do të fillojë më 12 ose 13 maj, në varësi të shikimit të hënës së re.
Luftëtarët talibanë u udhëzuan të “ndalojnë të gjitha operacionet sulmuese kundër armikut në të gjithë vendin nga dita e parë deri në ditën e tretë të Bajramit”, tha grupi kryengritës në një deklaratë më 10 maj. Qeveria afgane nuk është përgjigjur ndaj armëpushimit të shpallur nga talibanët.
Ministria e Brendshme tha se të paktën 11 civilë u vranë dhe 28 të tjerë u plagosën brenda natës kur një bombë e vendosur në rrugë goditi një autobus pasagjerësh në provincën Zabul. Në mesin e viktimave kishte gra dhe fëmijë.
Asnjë grup nuk mori përgjegjësinë për shpërthimin.
Në Provincën Paruan, në veri të kryeqytetit, dy njerëz u raportuan të vrarë dhe të paktën nëntë të plagosur kur një shpërthim goditi një minibus herët në mëngjes më 10 maj.
Zyrtarët qeveritarë fajësuan talibanët për shpërthimet.
Qeveria afgane gjithashtu ka fajësuar grupin për sulmin ndaj një shkolle vajzash në Kabul më 8 maj që vrau të paktën 50 njerëz dhe plagosi 100 të tjerë.
Grupi militant mohoi përfshirjen dhe dënoi sulmin.
Zyrtarët afganë kanë akuzuar prej kohësh talibanët se po përpiqen të mbulojnë gjurmët e tyre duke lejuar grupin ekstremist shumë më të vogël të Shtetit Islamik (IS) të marrë përgjegjësinë për disa sulme të militantëve.
Luftimet kanë ardhur duke u rritur në të gjithë vendin pas fillimit të tërheqjes së forcave amerikane dhe të NATO-s nga Afganistani. Sipas planit tërheqja e plotë do të përfundojë deri më 11 shtator./REL/
Top Channel