Kreu i SPAK flet për arrestimin e gjyqtares Hoxha dhe shitblerjen e votës në 25 prill. Ja mesazhi që ka për qytetarët në “Ditën e Drejtësisë”

10/05/2021 12:49

Kreu i SPAK, Arben Kraja në një intervistë në emisionin “Breaking” në Top News ka folur shkurtimisht edhe për arrestimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha.

Teksa e cilësoi një rast të goditjes së SPAK, Kraja tha se çështja e gjyqtares është drejtë përfundimit dhe do shkojë në Gjykatë ku do ketë edhe vendim përfundimtar.

Kraja: Ajo ishte një ngjarje shumë e rëndë nga pikëpamja e sistemit të drejtësisë. Kishte raste që persona ishin dënuar në mënyrë jo të rregullt. Çështja është drejtë përfundimit dhe do shkojë në Gjykatë ku do ketë edhe vendim përfundimtar. Ligji është i tillë që gjyqtari duhet të japë një vendim brenda një kohe të caktuar. Kur një vendimmarrje është në lidhje me një përfitim të parregullt kjo përbën problem.

Ndërsa sa i përket shitblerjes së votës në zgjedhjet e 25 prillit, Kraja tha se denoncimet nga qytetarët, subjektet politike, por dhe media kanë qenë të shumta. Sipas tij për rastet që kanë qenë kompetencë e strukturës së SPAK kanë nisur hetimet.

Kraja: Kemi pasur shumë denoncime, nga subjektet, nga policia, media dhe të gjitha janë vlerësuar me përparësi. I gjithë sektori që kemi ka qenë në dispozicion të rasteve të tilla dhe kur ka qenë kompetencë e jona kemi filluar hetimet. Hetimi ka kohën e vet, ka afate ligjore dhe kur të përfundojë ne do i bëjmë me dije rezultatet. Në Ditën e Drejtësisë dua të jap mesazhin që ne jemi aty, jemi shumë serioz dhe do vazhdojmë kështu si e kemi nisur.

Top Channel