Hetim për vdekjen nga helmimi/ Si u mjekuan tre personat nga mjekët në Manzë e më pas në QSUT ku humbën jetën

10/05/2021 15:09

Në Durrës po vijojnë hetimet për zbardhjen e vdekjes së tre anëtarëve të familjes Haliti nga Gjilani i Kosovës që prej më shumë se një muaji po qëndronte në shtëpinë e pushimit që kishin në Gjirin e Lalëzit.

Grupi hetimor po heton në gjendje të lirë për mjekim të pakujdesshëm 2 mjekë të qendrës shëndetësore të Manzës ku familja Haliti u paraqit për ndihmë mjekësore më 5 maj pas një helmimi ushqimor që dyshohet se u shkaktua nga konsumimi i kërpudhave të zonës.

Gjithçka nisi të martën e kaluar kur familja konsumoi në banesë, kërpudhat e mbledhura në Gjirin e Lalëzit. Disa orë më pas Afrim Haliti, nëna dhe bashkëshortja e tij janë ndjerë keq, ndaj një punonjës i resortit i ka shoqëruar pranë qendrës shëndetësore të Manzës në orët e para të 5 majit për trajtim ambulator dhe në gjendje të përmirësuar u kthyen në banesë.

Po atë ditë kanë shkuar sërish në ambulancën e Manzës dhe pas marrjes së serumit e qetësuesve janë larguar për në banesë. Sipas mjekëve të qendrës së Manzës është respektuar protokolli i trajtimit, ndërsa referimi në spitalin e Durrësit nuk është bërë pasi ata ishin përmirësuar dhe nuk kanë deklaruar paraprakisht që kanë konsumuar kërpudha.

Rreth 20 orë pas marrjes së trajtimit ambulator në Manëz, anëtarët e familjes Haliti janë përkeqësuar dhe kanë kërkuar ndihmë nga urgjenca kombëtare e cila ka dërguar një autoambulancë nga Durrësi dhe pas një reanimimi të shpejtë i ka dërguar në Tiranë në gjendje të rënduar, ndërsa spitali njoftoi dhe forcat e policisë.

Shefi i urgjencës së spitalit të Durrësit Gjergj Qerimi tregon dinamikën e asaj dite kur morën thirrjen për rastin e Gjirit të Lalëzit, një helmim i rëndë ushqimor nga kërpudhat.

Më 6 maj, 3 anëtarët e familjes mbërritën në QSUT në Tiranë për trajtim të specializuar, ku dhe humbën jetën, fillimisht nëna, pastaj i biri dhe më 8 maj edhe gruaja e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA