Shkollat greke kanë hapur dyert për nxënësit e klasave fillore dhe të mesme mëngjesin e së hënës pas muajsh ndërprerjesh dhe ndjekjes së mësimit online.
Nxënësit, por edhe mësuesit janë kthyer në klasa me maska në fytyrë, duke matur temperaturën para aparaturave përkatëse në hyrje si dhe me një certifikatë ku vërtetojnë se kanë kryer test anticovid në shtëpi 24 orët e fundit që ka rezultuar negativ, proces që do bëhet vazhdimisht dy herë në javë.
“Është shumë e rëndësishme të zbatohet procesi i testeve te kryera ne shtëpi dhe shpresojmë që të paktën deri në fund të vitit shkollor, fëmijët tanë të jenë në gjendje të shijojnë mësimin në klasë sa më shumë që të munden pasi sivjet ata dhe të gjithë janë privuar nga kjo”, tha Giorgos Papanikolaou, Kryetari i Bashkisë Glifadha në Athinë.
Greqia ka filluar gradualisht lehtësimin e kufizimeve me synimin për të hapur në fund të kësaj jave industrinë vitale të turizmit, pavarësisht niveleve të larta të rasteve të infektimeve të përditshme dhe të numrit të lartë të shtrimeve në spital që vazhdon të jetë mbi 380 në ditë apo dhe të të intubuarve që mbeten mbi 730 dhe që kanë vënë nën presion të madh sistemin e saj shëndetësor.
Me një popullsi prej 11 mln banorë, Greqia ka regjistruar deri tani prej fillimit të pandemisë gati 11.100 viktima nga koronavirusi dhe rreth 364,000 raste të konfirmuara, por shpreson që 15 Maji të jetë dita e fillimit të fundit të karantinës .
Kafenetë, restorantet dhe baret, të cilat ishin mbyllur për gati 6 muaj, janë hapur javën e kaluar si dhe gjykatat orët e fundit, ndërsa pritet të filloje edhe lëvizja e lirë e njerëzve nga një prefekturë në tjetër me heqjen e SMS që kufizonin daljet e qytetarëve nga shtëpia.
Top Channel