Dita e Drejtësisë/ Reagon Ministria e Drejtësisë: Reforma ka arritur rezultate shumë të mira dhe sot ia kemi dalë të ndërtojmë sistemin e ri të drejtësisë!

10/05/2021 11:30

Ministria e Drejtësisë ka reaguar në kuadër të “Ditës së Drejtësisë” duke kujtuar se rreth 18 vite më parë Shqipëria endej në sapo krijimin e shtetit prej Kuvendit të Vlorës, ndërsa sot jemi në një situatë tjetër.

Ministria kujton se Reforma në Drejtësi ka dhënë rezultate shumë të mira, ndërsa sot ia kemi dalë që të ndërtojmë sistemin e ri të drejtësisë.

Reagimi i plotë:

108 vjet më parë, në 10 maj 1913 kur u miratua “Kanuni i Zhurisë”, Shqipëria endej në sapo krijimin e shtetit prej Kuvendit të Vlorës.

“Kanuni i Zhurisë” ishte akti i parë dhe gurëthemeli pas pavarësisë për krijimin e organeve kryesore të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe riorganizimin e pushtetit gjyqësor.

Për të ardhur në këtë 108-vjetor, kujtojmë periudhën 1990 e këtej, të ndarë para dhe pas 2016 kur reforma në Drejtësi nisi dhe u miratua me vendosmëri dhe gjithëpranim të shprehur me votën e të 140 deputetëve në 21-22 korrik të atij viti.

Arritëm me vështirësi dhe pengesa këto ditë, për të patur një sistem të ri drejtësie, por jemi më pranë se kurrë aspiratës për të patur një shtet të së drejtës dhe një sistem drejtësie të bazuar te pastërtia morale, aftësia profesionale dhe pavarësia nga politika.

Ne jemi duke kaluar një moment historik, për të vendosur një model të ri të drejtësisë, për të shënuar një kthesë aq domethënëse në Shqipëri, që mund të shërbejë si model suksesi edhe për vende të tjera.

Tashmë vetë sistemi i drejtësisë duhet të veprojë në pavarësi dhe paanshmëri.

Të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, organet e qeverisjes dhe korpusi institucional i krijuar për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, të veprojnë në mënyrë proaktive, me përgjegjshmëri të lartë që të ndërmarrin hapat e duhur për vendosjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri në rrugën për t’iu përshtatur standardeve më të mira evropiane.

Padyshim që sot ndihemi shumë mirë, që reforma në Drejtësi ka arritur rezultate shumë të mira dhe ja kemi dalë të ndërtojmë sistemin e ri te drejtësisë.

Dëshmuar kjo, nga plotnia e komunikimit, bashkëpunimit dhe vlerësimit qytetar, institucional dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

Urime këtë ditë të zanafillës së drejtësisë!

Top Channel