Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan e dënoi ashpër sulmin izraelit ndaj xhamisë Al Aksa duke shprehur solidaritetin e tij të plotë me palestinezet.
“Fatkeqësisht, sulme të tilla të urryera kundër xhamisë tonë Al Aksa ndermerren cdo muaj të shenjtë të Ramazanit. Vëllezërit dhe motrat tona palestineze duhet ta dijnë se Turqinë e kanë në krah në cdo rrethanë”, shkroi Erdogan në Twitter.
Presidenti turk tha me tej se Izraeli, një shtet mizor dhe terrorist sipas tij po sulmon myslimanet që nuk kanë qëllim tjetër përveçse të mbrojnë shtëpitë e të parëve të tyre, e i bëri thirrje ndjekësve të këtij besimi në mbarë botën të ngrihen kundër kësaj padrejtësie.
136 vetë mbetën të plagosur nga përleshjet mes besimtarëve palestinezë dhe policisë izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aqsa, një objekt i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë. Përplasja shënoi pikën kulmore të disa javë trazirave në Jeruzalem.
Pjesa më e madhe e të lënduarve kishin marrë plagë në fytyrë e sy nga plumbat e gomës dhe copat e shashkave të përdorura nga policia. Forcat izraelite të rendit thanë se gjashtë policë kishin pësuar lëndime. Një seri incidentesh të dhunshme kanë shoqëruar kremtimet me rastin e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.
Top Channel