Rreziku i mpiksjeve të gjakut, ndonëse mbetet në nivele të ulëta, ka bërë që autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar të vendosin t`i administrojnë shumicës së të rriturve nën 40 një alternativë të vaksinës AstraZeneca.
Rregullatori britanik i sigurisë së barnave njoftoi se ka regjistruar 242 raste të mpiksjes së gjakut dhe 49 vdekje, në 28.5 milionë dozave të kesaj vaksine të injektuara tashmë.
Rreziku për tromboza gjaku thuhet të jetë pak më i lartë te grup-moshat e reja.“Pasi normat e koronavirusit po vihen nën kontroll, ne këshillojmë që të rriturve të moshës 18-39 vjeç, pa sëmundje të tjera, t’iu ofrohet një alternativë e vaksinës AstraZeneca, nëse është e disponueshme dhe nëse nuk shkakton vonesa në vaksinim”, tha Wei Shen Lim, nga Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin në Mbretërinë e Bashkuar.
Vaksina e kompanisë anglo-suedeze AstraZeneca është lidhur me disa raste të mpiksjes së gjakut, që shfaqen pas niveleve të ulëta të trombociteve në gjak. Agjencia Europiane e Ilaçeve, EMA, rekomandoi që vaksina të shoqërohet me paralajmërimin se shkakton mpiksje të rralla gjaku, por theksoi se përfitimet prej saj i tejkalojnë rreziqet.
Disa vende e kanë kufizuar përdorimin e vaksinës së AstraZenecas, ndërsa në Britani, gati 35 milionë persona kanë marrë të paktën një dozë të saj.
Top Channel